Gjatë 4 viteve të fundit, që kur u shfaq virusi SARS-CoV-2, janë grumbulluar në mënyrë të qëndrueshme të dhëna që mbështesin hipotezën se ai doli nga një laborator. Informacioni i fundit ofron fakte të reja se virusi është produkt i sintezës laboratorike, dhe jo i natyrës.
Ky fakt befasues, do të kërkojë ndoshta pak kohë për t’u përthithur nga audienca e gjerë, për shkak të paaftësisë së vazhdueshme të medias kryesore për të raportuar me objektivitet në lidhje me këtë çështjet. Redaktorët nuk kanë arritur të mendojnë përtej politizimit ekstrem, që kërkon nga liberalët të kundërshtojnë hipotezën e daljes së virusit nga një laborator.
Gazetarët e seksionit të shkencës, janë shumë të përkushtuar ndaj burimeve të tyre dhe e kanë të vështirë të dyshojnë se virologët do t’i gënjejnë për shkallën e përgjegjësisë së profesionit të tyre në raport me një pandemi që solli pasoja katastrofike në mbarë botën.
Ja disa fakte të spikatura, që nuk u janë raportuar qartë lexuesve të mediave kryesore: Në marsin e vitit 2018, një ekip virologësh amerikanë dhe kinezë aplikuan në Agjencinë e Projekteve të Kërkimeve të Avancuara të Mbrojtjes të Pentagonit, DARPA, duke kërkuar një grant prej 14 milionë dollarësh për të manipuluar viruset që lidhen me SARS-CoV-1, virusi i lakuriqëve të natës që shkaktoi një epidemi të vogël në vitin 2002.
Synimi i tyre ishte të identifikonin viruset e lakuriqëve të natës në Azi, të cilët kishin potencialin më të madh për të kërcyer tek njerëzit, dhe t’i imunizonin ata në mënyrë që ata të mos infektonin ushtarët në rajon. Propozimi për Projektin DEFUSE, specifikonte se infektueshmëria e viruseve do të rritej, duke futur në to një element gjenetik të njohur si një vend i ndarjes së furinës.
Në varësi të viruseve fillestare, ky protokoll mund të ketë prodhuar SARS-CoV-2, virusi që shkakton Covid-19. Në vitin 2022, biologët Valentin Bruttel, Alex Washburne dhe Antonius VanDongen, menduan se nëse SARS-CoV-2 do të ishte krijuar në një laborator me një metodë standarde, ai do të ishte mbledhur nga 6 seksione të ADN-së së sintetizuar në laborator me ndihmën e një agjent biologjik i quajtur BsmBI.
Duke analizuar strukturën e virusit, ata gjetën prova mbi shtresat midis seksioneve, dhe shenja të tjera dalluese të procesit të modifikimit. Studimi i tyre u tall dhe u cilësua si “biologji molekulare në standardin e fëmijëve të kopshtit” nga virologët që janë të preferuarit e medias kryesore, për shkak të kundërshtimit të tyre ndaj hipotezës së daljes së virusit nga një laborator.
Por një grup dokumentesh, zbulojnë detaje të reja në lidhje me propozimin DEFUSE dhe konfirmojnë se 3 shkencëtarët kishin të drejtë. Emily Kopp nga “US Right to Know” i mori dokumentet nga Departamenti i Brendshëm nëpërmjet një kërkese bazuar në Ligjin për Lirinë e Informacionit.
Ajo zbuloi se një studiues në Shërbimin Gjeologjik të SHBA-së, ishte anëtar i ekipit DEFUSE. Dokumentet e reja, bënin thirrje për modifikimin e viruseve të ngjashëm me SARS nga 6 seksione të ADN-së, dhe përfshijnë një vlerësim të kostos për blerjen e enzimës kufizuese BsmBI, pikërisht siç kishin konstatuar 3 autorët e studimit.
Kjo e forcon qartë dhe ndoshta në mënyrë përfundimtare pretendimin e tyre se virusi është sintetik. Tregues të tjerë të fortë të origjinës laboratorike të virusit, përfshijnë vendin e ndarjes së furinës, që nuk zotërohet nga asnjë prej më shumë se 1500 anëtarëve të tjerë të familjes së tij virale, me të cilat në natyrë mund të shkëmbejë materialin gjenetik.
Kodonet, “fjalët” e përdorura nga kodi gjenetik për të specifikuar njësitë e proteinave, që përcaktojnë vendin e ndarjes, janë ato të preferuara nga njerëzit, dhe jo koronaviruset, duke treguar se origjina e tyre të mundshme është nga një laborator. Dhe ndërsa shumica e viruseve kërkojnë përpjekje të përsëritura për të kaluar nga një kafshë tek njerëzit, SARS-CoV-2 infektoi njerëzit jashtë laboratorit.
Autorët e propozimit ishin një ekip i udhëhequr nga Peter Daszak i EcoHealth Alliance me qendër në Nju Jork, Shi Zhengli e Institutit të Virologjisë Wuhan dhe Ralph Baric i Universitetit të Karolinës së Veriut. Edhe pse Baric është eksperti kryesor i teknologjisë, Daszak synonte që pjesa me e madhe e studimi të kryhej në laboratorin e zonjës Shi, pavarësisht se DARPA-s i përçonte përshtypje të ndryshme.
Në dokumentet e zbuluara së fundmi, del se në një rast ai shkruan: “Unë dua ta theksoj kontributin amerikan të këtij propozimi, në mënyrë që DARPA të ndihet rehat me ekipin tonë. Pasi të marrim fondet, atëherë mund të ndajmë se kush do të bëjë çfarë dhe besoj se shumë nga këto analiza mund të bëhen në Wuhan”.
Zonja Shi e kreu pjesën më të madhe të punës së saj, me viruset e tipit SARS në gjendjen me kontrollin minimal të njohur si BSL2. Ndërkohë Baric, që i konsideronte viruset si shumë të rrezikshëm, punonte në një laborator më të sigurt të njohur si BSL3.
Daszak vuri në dukje se laboratorët me siguri më të ulët do të kursenin para: “Natyra BSL-2 e punës me SARSr-CoV e bën sistemin tonë me një kosto shumë më efektive, në krahasim me sistemet e tjera të virusit të lakuriqëve të natës”. Baric iu përgjigj këtij komenti, se viruset mund të rriten në kushte sigurie BSL2 në Kinë, por “ekspertët amerikanë ka të ngjarë të tremben nga kjo praktikë”.
EcoHealth Alliance e Daszak, pohoi vitin e kaluar se Projekti DEFUSE nuk u zbatua kurrë.
“Propozimi nuk u financua dhe puna nuk u krye. Prandaj nuk mund të ketë luajtur një rol në origjinën e COVID-19”- theksuan ata. Por shkenca është një biznes konkurrues. Pasi DARPA hodhi poshtë projektin DEFUSE në shkurt 2019, studiuesit në Wuhan mund të kenë siguruar fondet e qeverisë kineze dhe të kenë vazhduar vetë me projektin.
Viruset e krijuara sipas DEFUSE, mund të kenë qenë të disponueshëm në kohën kur shpërtheu Covid-19, diku midis gushtit dhe nëntorit 2019. Një pjesë i mungon kësaj enigme, identiteti i viruseve mëmë nga të cilët është nxjerrë SARS-CoV-2.
Autoritetet kineze kanë shtypur me rigorozitet të gjitha informacionet në lidhje me viruset që mbahen në Institutin e Virologjisë në Wuhan. Por provat dokumentare dhe shkencore të mbledhura tashmë, duken të mjaftueshme për të kuptuar gjenezën e pandemisë që vrau miliona njerëz.
Burimi: Wall Street Journal.