Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, sot i tha presidentit rus Vladimir Putin se vendi ballkanik është një aleat i Rusisë, që kurrë nuk do të vendosë sanksione kundër Moskës apo të anëtarësohet në NATO, ndërsa u ankua për presionin perëndimor dhe situatën në Kosovë e në Bosnjë-Hercegovinë.
Komentet e Aleksandar Vulinit, ish-shef i shërbimit të fshehtë serb i cili është nën sanksionet amerikane, pasqyrojnë marrëdhëniet e ngushta të vazhdueshme midis Beogradit e Moskës, pavarësisht synimeve të shpallura të Serbisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Eshtë një nder i madh për mua që kam privilegjin të flas me ju, i tha presidentit Putin. Ju lutem, më besoni kur them se është një inkurajim i madh për të gjithë serbët, kudo që jetojnë.
Serbia ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për luftën e saj në Ukrainë edhe pse e ka dënuar agresionin e Moskës. Presidenti Aleksandar Vuçiç, ka thënë se vendosja e sanksioneve nuk është në interesin kombëtar të Serbisë.
Serbia nuk është vetëm një partner strategjik i Rusisë, Serbia është gjithashtu aleate e Rusisë, u shpreh Vulin. Kjo është arsyeja pse trysnia e Perëndimit ndaj nesh është e madhe.
Takimi i Vulinit me presidentin Putin në qytetin e largët lindor të Rusisë, Vladivostok, ndodhi pak pasi presidenti francez Emmanuel Macron vizitoi Serbinë. Gjatë kësaj kohe, Beogradi nënshkroi një marrëveshje për të blerë avionë ushtarak francezë Rafale, një lëvizje që u pa si një largim i mundshëm nga Moska.
Zyrtari serb e siguroi presidentin Putin se lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Serbia e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiç është një Serbi që nuk do të bëhet kurrë anëtare e NATO-s, e cila kurrë nuk do të vendosë sanksione kundër Federatës Ruse dhe e cila kurrë nuk do të lejojë që territori i saj të përdoret për çfarëdo veprimi anti-rus.
Serbia nuk është bërë dhe nuk do të bëhet pjesë e histerisë anti-ruse. Prishtina po përpiqet të ndryshojë situatën në terren, të shkelë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të kryej spastrim etnik të serbëve.
Zyrtari serb akuzoi Bashkimin Evropian për moszbatimin e marrëveshjeve të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, duke nënvizuar “dështimin e BE-së për të zbatuar vendimin e saj për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.