Rajoni

Vuçiç-Sarrazin për “marrëveshjet e pazbatuara” mes Kosovës dhe Serbisë!

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se ka biseduar me të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, si dhe për situatën në rajon.

Vuçiq shkroi në llogarinë e tij në Instagram se pati një bisedë “të hapur dhe të drejtpërdrejtë” me Sarrazinin për “marrëveshjet e pazbatuara” nga dialogu mes Beogradit e Prishtinës, “në radhë të parë, ato që kanë të bëjnë me sigurinë e serbëve në Kosovë, sidomos themelimin e Asociacionit me shumicë serbe”.

Përsërita se Gjermania dhe komuniteti ndërkombëtar në Serbi kanë një partner të besueshëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, forcimin e bashkëpunimit e prosperitetit rajonal. Por, mbrojtja e interesave kombëtare të shtetit dhe popullit serb do të jetë gjithmonë prioriteti ynë.

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde ritheksoi qëndrimin e Gjermanisë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet me njohje reciproke.

Sa për ta rikujtuar: Lexojeni deklaratën e qartë të kancelarit Olaf Scholz gjatë vizitës së tij në Kosovë dhe në Serbi në qershor 2022, për normalizimin, përfshirë njohjen dypalëshe, shkroi Rohde në rrjetin social X. Kjo vlen ende. Rruga është tashmë e hapur për Kosovën dhe Serbinë përmes zbatimit të menjëhershëm të marrëveshjeve të arritura më 2023-shin për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore.

Deklarata e tij erdhi pak pasi ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se njohja formale e Kosovës nuk do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Europian (BE). Më herët, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano u shpreh për Radion Evropa e Lirë se Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Europian pa normalizimin e raporteve të saj me Kosovën.

Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia më 2023 arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve. Më vonë ajo u bë e njohur si Marrëveshja e Ohrit, por edhe kjo ka mbetur kryesisht e pazbatuar.

Bashkimi Europian nuk është shprehur qartë nëse njohja formale e Kosovës do të jetë kusht për Serbinë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe Stano përsëriti se “qëndrimi i bllokut rreth kësaj çështjeje mbetet i pandryshuar”.