Rrjetet sociale po “ziejnë” nga reagimet e ashpra të shqiptarëve për publikimin e një harte të Kosovës të mbuluar me flamurin serb. Veprimi provokues ka për autor Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç ndërsa në anën tjetër, nisi fushata për largimin e fotos nga Instagrami. Mes nismëtarëve është aktivisti Shpend Lila, i cili shkruan:
Unë luftoj shumë për të drejtën dhe njerëzit e mi. S’kam asgjë kundër njerëzve të pafajshëm. Kemi hequr shumë. Kjo është e papranueshme dhe e pavërtetë!. Ju lutem, t’a raportoni në Instagram!
Por Vuçiç nuk u mjaftua vetëm me foton. Në faqen e tij zyrtare në Instagram, ka edhe një mesazh:
Serbia sot nuk është e dobët, nuk kërcënon, nuk harron e nuk do të lejojë që 17 marsi të ndodhë përsëri.
Për serbët, 17 marsi i 2004-ës, shënon ditën e dëbimit të tyre nga Kosova. Madje në kuadër të propagandës së tyre në arenën ndërkombëtare, pretendojnë se shqiptarët e Kosovës iu dogjën dhe Kishat më 17 e 18 mars të 17 viteve më parë. Në ato trazira u vranë 11 shqiptarë dhe 8 serbë, si dhe u plagosën qindra persona.
Politika në Kosovë nuk qëndron indiferente për provokimet e Vuçiçit.
Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, Enver Hoxhaj shkruan:
Serbia nën sundimin autokratik të @avucic është në një gjendje hipnoze ku propaganda dhe urrejtja nxiten kundër fqinjëve. Kosova si një shtet i pavarur dhe sovran është muri i vlerave euro-atlantike kundër mentalitetit të moshës së mesme.
Nuk mungoi as Edita Tahiri, e cila ka drejtuar delegacionin e Prishtinës, të angazhuar në dialogun me Beogradin, në Bruksel.
Serbia e Vuçiç vjen me provokime të reja kundër Kosovës, duke treguar bindjen e tij hegjemonike. Njëherë në Bruksel ai ka provokuar në mënyrë të njëjtë. I isha përgjigjur duke i thënë, “duket se të mungojnë bombardimet e NATO-s”. Këtë po them sërish”.