Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha se nuk mund të pajtohet me vlerësimin se “integrimi europian i Serbisë është i bllokuar” por sipas tij “procesi po ecën ngadalë”. Deklarata e Vuçiçit erdhi gjatë një interviste për RTS-në ku ai u pyet për integrimin europian.
Nëse Serbia njeh pavarësinë e Kosovës dhe vendos sanksione ndaj Rusisë do të pranohej menjëherë në BE. Po, po ecën ngadalë… Dhe sa herë që mendoni se është për shkak të sistemit ligjor, ligjit të së drejtës ose nuk e di se çfarë, unë do t’ju them që nuk është. Nëse do të njihnim pavarësinë e Kosovës dhe do të vendosnim sanksione ndaj Federatës Ruse, ne do të ishim anëtarë të Bashkimit Europian që nesër, menjëherë. Ne do të jemi në Union menjëherë pas një procedure urgjente dhe do të jemi vendi më i mirë në botë.
Në deklaratën se do të kemi edhe regjistrim udhëtimi, të cilin e kanë britanikët, presidenti Vuçiç tha se “regjistrimi nuk ishte një zgjedhje e zgjuar”.
Nuk është për ne, është për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe për të gjithë të tjerët.
Po për Televizionin Publik Serb, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha dje se kërkon të respektohen të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në intervistën për RTS-në, O’Brien theksoi se sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe është e rëndësishme që të respektohen marrëveshjet. Në këtë drejtim, zyrtari amerikan deklaroi se në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës duhet që të kalojë një draft-statut për Asociacionin.
Zyrtari i lartë amerikan shtoi edhe se duhet të ketë “diskutim më të gjerë lidhur me integrimin e serbëve që jetojnë në Kosovë”.
Asociacioni është një hap i rëndësishëm. Eshtë e rëndësishme të shënohet përparim edhe para formimit të Asociacionit. Eshtë e rëndësishme që njerëzit të jetojnë normalisht, të regjistrohen martesat, fëmijët që lindin e në të gjitha këto, të punojmë njëkohësisht. Detyrimet ekzistojnë që nga viti 2015 kur u nënshkrua [marrëveshja për Asociacionin]. Nuk mund t’ju ofroj afat kohor, por më e rëndësishmja është që serbët të jetojnë si qytetarët europianë.
Që nga viti 2013, Kosova dhe Serbia ranë dakord për themelimin e Asociacionit. Më 2015-ën u arrit edhe Marrëveshja mbi parimet për themelimin e këtij asociacioni. Por, marrëveshjet nuk janë zbatuar kurrë. Kosova ka shprehur frikën se një asociacion i tillë njëetnik mund të ndikojë në funksionimin e shtetit.
Po ashtu, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë disa veprime në veriun e banuar me shumicë serbe, përfshirë mbylljen e disa institucioneve që funksiononin sipas sistemit të Serbisë. Faktori ndërkombëtar, përfshirë SHBA-të i kanë cilësuar këto veprime si “të njëanshme” dhe “të pakoordinuara”.
O’Brien vuri në dukje se për moskoordinim të veprimeve të Prishtinës me Uashingtonin “ka pasoja dhe pasoja më e madhe ishte që shtetet në Europë nuk mundësuan pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës. E gjithë kjo për shkak të moskoordinimit”.