Presidenti serb, Aleksander Vuçiç njoftoi se më 10 apo 15 tetor, ai do të marrë vendim lidhur me ftesën e homologut rus, Vladimir Putin për takimin e BRICS-it. Gjatë inspektimit të punimeve për rindërtimin e një ure në Karakaj, në pikën kufitare me Bosnjë-Hercegovinën, Vuçiç iu tha gazetarëve se nuk dëshiron të refuzojë apo pranojë çdo gjë.
Nuk ka dyshim se është ftesë e rëndësishme, siç kemi organizuar më herët vizita të rëndësishme. Nuk mund të tregoj detaje.
Lideri serb shtoi se është krenar me politikën “e pavarur” të Serbisë.
Serbia është në rrugën europiane, por ka politikën e saj dhe nuk do të heqë dorë nga miqtë tradicionalë, përfshirë Kinën e Rusinë. Ne duam t’i ruajmë këto miqësi, teksa zotohemi për një të ardhme ndryshe.
Samiti i BRICS-it ku bëjnë pjesë Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut do të mbahet nga data 22 deri më 24 tetor në qytetin rus të Kazanit.
Putin e ftoi Vuçiçin dhe zv.kryeministrin serb, Aleksandar Vulin, që të marrin pjesë në samitin e BRICS-it, që gjatë punimeve të Forumit Ekonomik Lindor, që u mbajt më 4 shtator në Vlladivostok. Në përgjigjen e parë publike për këtë ftesë, Vuçiç tha dje se Serbia do të ketë “miq të rëndësishëm nga jashtë” gjatë samitit të BRICS-it.
Serbia është në mesin e pak shteteve në Europë që refuzon t’iu bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Moskës, pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.
Për BE-në, vizita e Vulinit në Rusi dhe takimi i tij me Putinin “është në kundërshtim me aspiratat e Serbisë për integrim në BE”. Kështu tha zëdhënësi për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Peter Stano.
Gjatë një konference për shtyp në Bruksel, Stano parashtroi pyetjen se “në emër të kujt flet Vulin?”.
Nuk e dimë se në emër të kujt flet Vulin, sepse presidenti i Serbisë, Vuçiç ka përsëritur qëllimin strategjik të Serbisë për anëtarësim në BE. Kjo do të thotë se pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, nuk mund të vazhdojnë apo forcohen raportet me Rusinë sikur të mos kishte ndodhur gjë. Pra, presim nga Serbia që të përmbahet nga forcimi i raporteve me Moskën. Presim nga të gjithë anëtarët e Qeverisë së Serbisë që ta ndjekin qëllimin e integrimit në Bashkimin Europian.