Serbia ka politikat dhe interesat e saj, e nuk është shërbëtore as e “Rusisë, as e Shteteve të Bashkuara”: Në fjalimin e mbajtur përpara Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti serb Aleksandar Vuçiç hoqi paralele mes Ukrainës e Kosovës.
Vuçiç u ankua duke thënë se shteti i tij respekton Kartën e OKB-së dhe integritetin territorial të Ukrainës, por vendet e tjera nuk respektojnë rezolutën 1244 dhe “integritetin territorial të Serbisë”. Ai iu kthye akuzave ndaj Perëndimit se ka shpërfillur Kartën e OKB-së, kur ish-Jugosllavia u bombardua nga NATO-ja, çka solli dhe çlirimin e Kosovës.
“Të gjithë në botë flasin për Ukrainën, askush nuk guxon të flasë për Serbinë, por edhe kur flasin, ata thonë se si ne do ta nisim luftën në Ballkan nën urdhrat e Rusisë. Ata kanë gënjyer gjatë gjithë kohës për më shumë se dy vjet e gjysmë. Ne nuk jemi as shërbëtorë të Rusisë, e as të SHBA-së”, tha ai.
Serbia nuk i cënon raportet e mira me Rusinë pavarësisht trysnisë së Perëndimit. Ajo vazhdon të mbetet ndër të paktat vende në Europë që nuk i janë bashkuar sanksioneve kundër Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës në 2022, dhe nuk jep asnjë sinjal se mund të ndryshojë qëndrim. Vuçiç i vazhdoi akuzat ndaj vendeve perëndimore duke thënë se ata po armatosin Kosovën, në një kohë kur sipas rezolutës 1244 të OKB-së, të vetmet forca të armatosura në Kosovë duhet të jenë ato ato të KFOR-it, misionit paqeruajtës të NATO-s.
“Ata që kanë kryer agresion kundër Serbisë, tentuan të ndajnë një pjesë të territorit të saj, ende tentojnë të na bindin se është zgjidhja e vetme demokratike dhe e arsyeshme, që ‘Kosova dhe Metohia’ të shkëputet nga Serbia. Ata i kanë ofruar armë në baza ditore të ashtuquajturave Forca të Sigurisë së Kosovës, që nesër do të bëhen Forcat e Armatosura shqiptare në territorin e Serbisë”, deklaroi ai.
Shndërrimi i FSK-së në ushtri, i miratuar në 2018-tën, pritet të përfundojë në vitin 2028. Aktualisht, FSK-ja mbështetet nga shtete të ndryshme me armatime, sikurse nga Shtetet e Bashkuara dhe Turqia. Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë kanë qenë të larta që nga 24 shtatori i vitit 2023, kur një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë efektivi i policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, si dhe tre sulmues serbë.
Top Channel