Rajoni

Vritet një efektiv i policisë në veri të Kosovës/Kurti-Osmani akuza Beogradit!

Një zyrtar i Policisë së Kosovës, me inicialet A.B u vra dhe një tjetër u plagos sot në orët e para të ditës në veriun me shumicë serbe. Sipas kryeministrit Albin Kurti, policia u sulmua në fshatin Banjska të Zveçanit. Në një postim në Facebook, shefi i qeverisë e quan sulmin “terrorist”, duke theksuar se “me mbështetje politike, financiare e logjistike nga Beogradi zyrtar, krimi i organizuar po sulmon shtetin e Kosovës”.

Siç bëri të ditur Kurti, efektivi i vrarë ishte rreshter ndërsa i plagosuri, pjesëtar i Policisë Kufitare. Fatmirësisht është jashtë rreziku për jetën.

Në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë tonë. Sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur edhe me armë të rënda.  Kriminelët ekzekutorë do të dështojnë dhe do të gjykohen.

Një mjek roje në Klinikën Torakale i konfirmoi Radios Evropa e Lirë se një pjesëtari të policisë ia hoqën një pjesë të granatës që i ra në dorën e majtë dhe i depërtoi deri në një pjesë të mushkërisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se vrasja në veri është “planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe”.

Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po synojnë të destabilizojnë Kosovën dhe rajonin.

Në veri të Kosovës, tensionet kanë qenë të larta prej muajit maj, kohë kur banorët e komunave me shumicë serbe në veri nuk i kanë pranuar kryetarët e rinj shqiptarë, të dalë prej zgjedhjeve të prillit e që ata vetë i bojkotuan.

Në disa raste, situata ka përshkallëzuar në dhunë. Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që të koordinohet për hapat e mëtejshëm e të punojë për shtensionimin e gjendjes së krijuar.