Sulm me armë zjarri në Serbi, vritet një efektiv e plagoset rëndë një tjetër. Beogradi zyrtar ngre gishtin e akuzës te një shtetas i Kosovës. Informacionet i konfirmoi zv.kryeministri e njëherazi ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç, duke saktësuar se ngjarja ndodhi në Loznicë, një qytet perëndimor në Serbi e që ndodhet në kufi me Bosnjë-Hercegovinën.
Ministria e Brendshme e Serbisë tha se në vendngjarje u gjet një pasaportë e të dyshuarit, e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajziri, i lindur në vitin 1991, si dhe një tjetër dokument gjerman identifikimi. E pyetur nga Radio Evropa e Lirë, ministria e Brendshme gjermane nuk e ka komentuar këtë rast.
Presidenti serb, Aleksander Vuçiç i dërgoi telegram ngushëllimi familjes së policit të vrarë, të cilin e përshkroi si hero të vendit. Në të thuhet:
Jam jashtëzakonisht i tronditur nga lajmi për vdekjen e zyrtarit policor, Nikolla Kërsmanoviç, i cili mbeti i vrarë në një sulm të pabesë teksa po kryente detyrën e tij të vështirë.
Kjo u theksua nga Vuçiç në një komunikate të publikuar nga Presidenca serbe në Beograd.
Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vuri në dukje se nuk ka për të shtuar gjë përveç asaj që tashmë është publike për këtë rast. Mësohet se lidhur me të, organet e sigurisë në Kosovë po grumbullojnë informacione. Por, Kurti ka bërë thirrje që të mos politizohet çështja.
Autoritetet tona kompetente, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Policia do ta informojnë publikun për gjendjen aktuale se ku jemi dhe çfarë duhet bërë në të ardhmen. Edhe unë pres që të japin deklaratat e tyre profesionale, sepse ne besojmë se kjo çështje nuk duhet të politizohet, por të trajtohet si e tillë, nga pikëpamja e sigurisë, ligjore dhe profesionale, u shpreh Kurti në një konferencë për media të dhënë sot në orët e mëngjesit.
Ministria e Jashtme e Kosovës vuri në dukje se po ndjek nga afër zhvillimet përmes Zyrës së saj Ndërlidhëse në Beograd, por nuk dha detaje të tjera.