Aktualitet

Vrau nënën në Lezhë, fjalët e autorit me probleme të shëndetit mendor!

“Kam vrarë 2 mijë vetë e nuk më beson njeri, vrava nënën time dhe ma besuan”. Këto ishin fjalët para hetuesve të 62-vjeçarit Arsen Dani, i cili një ditë më parë masakroi me thikë për vdekje, nënën e tij, Gjylije Dani, brenda apartamentit ku jetonin ne lagjen “Besëlidhja” të qytetit te Lezhës.

Autori i dyshuar ka shfaqur probleme të theksuara të shëndetit mendor, ndërsa po mbahet në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Lezhës. Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 14:30 minuta brenda banesës së familjes Dani, në katin e katërt të një pallati, pranë Bulevardit Gjergj Fishta të qytetit verior.

Ish-arsimtarja Gjylije Dani, 88 vjeçe u qëllua disa herë me thikë në shpinë, nga Arsen Dani. Për shkak të plagëve të marra, e moshuara gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa ishin fqinjët të cilët pasi dëgjuan zhurmat, njoftuan policinë në lidhje me atë që ndodhi.

Arsen Dani u prangos pa bërë rezistencë, si dhe iu sekuestrua mjeti prerës (thikë) me të cilin kishte kryer vrasjen. Dani njihej si person me probleme të shëndetit mendor, por nuk veçohej si problematik për fqinjët apo për komunitetin.

Fillimisht, 62-vjeçari kishte debatuar me nënën e tij, mesditën e djeshme në rrethana të paqarta dhe më pas e goditi me thikë, çka solli pasoja fatale.