Vdekja e Drejtores së Fotografisë, Halyna Hutchins, në sheshxhirimin e filmit western, “Rust”, rikthen vëmendjen te fatalitete të ngjashme. 42-vjeçaren e kapi plumbi i një pistolete që duhej të ishte e zbrazur dhe që u përdor nga aktori Alec Baldwin. Me të u plagos regjisori Joel Souza.
Episodet tragjike e të pashpjegueshme, nuk janë të izoluara në historinë e kinemasë, lidhur me përdorimin e armëve të zjarrit në filma.
Skena e mbetur në kujtesën e të gjithëve është ajo te “The Crow”, me kriminelët që qëllojnë nga të gjitha anët Eric Draven-in, rol i interpretuar nga Brandon Lee. Ky i fundit qëndron në këmbë, mbi një tryezë në momentet e fundit të jetës. Një prej armëve që u përdorën nuk ishte e zbrazur nga plumbat.
Tragjedia ndodhi në vitin 1993 kur Brandon Lee, djali i yllit të arteve marciale, Bruce Lee ishte 28-vjeç. Sipas hetimeve, u godit nga një plumb i kalibrit 44, që e kapi në pjesën e shtyllës kurrizore. Ngjarja është ende e freskët për familjarët. Në një postim në Twitter, të administruar nga Shannon, motra e viktimës, theksohet:
Zemrat tona janë me familjet e Halyna Hutchins e Joel Souza, si edhe me të gjithë ata të përfshirë në incidentin “Rust”. Askush nuk duhet të vritet në një set kinematografik.
Në vitin 1984, aktori Jon-Erik Hexum gjeti vdekjen pasi u qëllua me plumb në kokë, teksa shtirej sikur luante ruletë ruse me një Magnum 44, në setin e serialit televiziv “Cover Up”.
Ndërkaq, më herët në kohë, në vitin 1983, tre persona, mes tyre dy fëmijë, humbën jetën gjatë xhirimit të filmit “Twilight Zone:The Movie”. Vic Morrow e dy aktorët fëmijë Myca Dinh Le 7-vjeç dhe Renee Shin-Yi Chen, 6-vjeçe gjetën vdekjen në një incident që përfshiu përdorimin e një helikopteri që fluturonte në vetëm 8 metra lartësi, shumë ulët për të shmangur shpërthimet e fishekzjarreve të përdorur në set. Pasi piloti humbi kontrollin dhe u përplas, Morrow, Le e Chen, humbën jetën.
Edhe “Top Gun” regjistroi një viktimë në set: piloti i fluturimeve akrobatike Art Scholl, 53-vjeç gjeti vdekjen kur humbi kontrollin e Pitts S-2 dhe u rrëzua në Oqeanin Paqësor, në bregun jugor të Kalifornisë. Top Gun i kushtohet kujtimit të tij.
Në filmin aksion të vitit 2002 “XXX”, me Vin Diesel, dublanti i tij Harry L. O’Connor, humbi jetën në sheshxhirim. Teksa mbahej në një litar, goditi një urë dhe mbeti i vdekur në vend.
Në vitin 2008, në filmin “Jumper” me protagonist Samuel L.Jackson, humbi jetën David Ritchie. Skenografi u godit nga një përzierje efektesh speciale: rërë, akull e dhe’ që ra nga maja e një muri.