Aktualitet Sport

“Vrasja s’është pasion, futbolli po”, Tifozët Kuqezi homazh për 14-vjeçarin Martin Cani!

Pak para nisjes së ndeshjes miqësore të Shqipërisë me Ukrainën, tifozët kuqezi u mblodhën për të mbajtur një minutë heshtje, një akt emocionues homazhi për Martin Canin, 14-vjeçarin që humbi tragjikisht jetën një ditë më parë.

Dje, një tragjedi e tmerrshme i mori jetën atij, pas një sulmi me thikë, ku u bë viktimë pas një përplasjeje të dhunshme disa metra larg shkollës “Fan Noli” në Tiranë. Pas goditjes me thikë në zemër, Martini, edhe pse u transportua menjëherë në spital, nuk mundi të mbijetonte. Ngjarja tronditi të gjithë vendin dhe la pas një boshllëk të thellë në zemrat e atyre që e njohën.

Në nderim të jetës dhe pasionit të tij për futbollin, tifozët e Shqipërisë, në prag të ndeshjes së kombëtares me Ukrainën, shpalosën një banderolë ku shkruhej: “Vrasja s’është pasion, futbolli po! Pusho në paqe Martin!”. Ky mesazh ishte një apel i fortë, një thirrje që dënonte dhunën dhe afirmonte dashurinë për futbollin si një sport që bashkon, ndihmon dhe inspiroon.

Martin Cani stërvitej me ekipin U-15 të Dinamos.

Tragjedia e ndodhur ka prekur thellë gjithë komunitetin sportiv, familjen dhe miqtë e tij.