Rajoni

Vrasja që u bë çështje në Kosovë/ Ministrja e Drejtësisë, shpjegime në Prokurori për komentet mbi vrasjen e Fatjon Harizit!

Këtë të martë, Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu është intervistuar nga Prokuroria Speciale rreth deklaratave për Faton Hajrizin, i cili u vra nga policia serbe, pasi dyshohet se është personi që kreu vrasjen e policit serb më 18 korrik në Lloznicë.

Sipas saj, reagimi vjen pas takimeve me institucionet e inteligjencës e policisë të cilat janë bërë pas arratisjes së Faton Hajrizit nga qendra korrektuese e Smrekonicës.

“Siç e kam thënë publikisht, reagimi im në rrjetin social nuk vjen si një deklarim i një mendimit personal por vjen pas takimeve të shumta, sidomos pas largimit të Faton Hajrizit nga qendra korrektuese në Smrekonicë“, tha Albulena Haxhiu-Ministre e Drejtësisë.

Haxhiu ka akuzuar edhe prokurorinë për thirrjen e saj si dëshmitare e madje thotë se një prej pyetjeve ishte “shokuese” dhe e konsideron si shpifje.

“Është e habitshme, madje edhe shokuese që njëra nga pyetjet që më është parashtruar sot që është pyetje e prokurorit të rastit, që thotë çka ke menduar ti me ndikimin e Serbisë në burgjet e Kosovës. Mund ta shihni edhe vet nëse kam përmendur ndikimin e Serbisë në burgjet e Kosovës, kjo është shpifje, kjo është thashetheme, këtë e ka thënë PDK dhe disa analistë”, u shpreh ministrja.

Ministrja e Drejtësisë, ka shtuar po ashtu se nuk duhet të shihet si hero një person si Faton Hajrizi, i cili ka një të kaluar kriminale, ndërkohë që bën me dije se mund të shqyrtohet edhe një autopsi e dytë për trupin e tij.

“Ndoshta mund të konsiderohet një autopsi e dytë e trupit të Faton Hajrizit, besoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme kjo. Dje është thënë që gjurmët përputhen me personin por natyrisht që na duhen informata më shumë”, deklaroi ajo.

Albulena Haxhiu përgjatë dy ditëve është intervistuar edhe për deklarimet e saj për kërkesat e prokurorëve dhe gjyqtarëve që sipas saj kanë pasur për takime dhe favore nga ajo. Ministrja e Drejtësisë për këtë tha se dikujt po i pengon reforma në drejtësi.