Gjykata e Tiranës la në arrest shtëpie dy infermieret e akuzuara se tentuan të fshihnin vrasjen e ndodhur në azilin e të moshuarve te “Qyteti Studenti”, tre ditë më parë. Po ashtu dha vendim për masë mjekësore shtrim i përkohshëm në spitalin Psikiatrik për autorin e dyshuar Zyhdi Shehi, 78-vjeç.
Nazime Mulla dhe Glesantina Saraçi, infermiere dhe kryeinfermiere në azilin ku u vra i moshuari, Virxhil Vesho, u arrestuan pasi e raportuan ngjarjen si aksidentale duke këmbëngulur që 82-vjeçari, i cili vuante nga skleroza ashtu si dhe autori, ishte rrëzuar. Në këtë mënyrë u justifikuan për faktin se njoftuan agjencinë funerale e jo policinë.
Nga verifikimi i kamerave të sigurisë rezultoi se pasi Vesho mbeti i vdekur në vend nga goditjet me bastunin e hekurit nga shoku i dhomës, Zyhdi Shehi, nxorrën trupin e pastruan gjakun. Agjencia funerale e ktheu trupin e pajetë kur konstatoi se shenjat nuk ishin nga rrëzimi, por nga akte dhune. I moshuari u qëllua në gjumë me bastun. Autori pretendonte se viktima i kishte zënë krevatin.