Aktualitet

Vrasja e recepsionistit në Dhërmi, lihet në burg dyshja që ndihmoi autorin/Shfaqën pendesë!

Kanë kaluar tre ditë nga vrasja në Dhërmi e recepsionistit Erald Nevruzi, në hotelin Greccia ku punonte, por policia ende nuk ka mundur të gjejë armën me të cilën qëlloi autori i dyshuar, Gerald Shehu, i arrestuar në Greqi ku u kap me kërkesë të autoriteteve shqiptare, pasi po tentonte të shkonte në Angli ku dhe jetonte.

Për përkrahje të autorit të krimit, sot Gjykata e Vlorës dha masat e sigurisë duke lënë në burg dy të ndaluarit, Daniel Qose e David Larti, që të dy nga Korça, punonjës të hotelit që akuzohen se ndihmuan 43-vjeçarin Shehu të largonte nga mjediset e godinës trupin e pajetë të 31-vjeçarit. Falë kërkimeve intensive u gjet të premten e 7 qershorit, në zonën e Vunoit. Në gjykatë, shfaqën pendesë e thanë se ishin nën kërcënimin e armës.

Bashkëpronarit Shehu, ata i gjetën qese mbeturinash për të fshehur trupin dhe më pas e ndihmuan për ta transportuar në makinë e gjithashtu asistuan në djegien e sendeve personave të Nevruzit. Ndërkaq, patën treguar se vrasjen me armë zjarri, Geraldi e kreu te shkallët, pas një konflikti me viktimën.

Na ka bërtitur me tone të larta për të marrë qeset dhe e kemi futur trupin në bagazh, por më pas nuk dimë gjë.

Daniel Qose dhe David Larti i thanë policisë se Gerald Shehu e qëlloi dy herë me dy plumba në kokë 31-vjeçarin rreth mesnate, rreth 30 minuta pasi hyri data 6 qershor. Më tej, në orën 04:00 të mëngjesit, ai shkoi në shtëpi, mori rrobat e çantën duke u nisur për në Greqi ku dhe u kap.

Ishte një turiste e huaj që ngriti alarmin për ngjarjen kriminale, duke thënë se dëgjoi të shtëna me armë zjarri. Më pas, vjehrra e autorit të dyshuar, e cila rezulton edhe bashkëpronare e hotelit, njoftoi në telefon policinë, pasi nuk gjeti recepsionistin e as sendet e tij personale, që Shehu i kishte djegur para se të hidhte trupin e pajetë në guroren mes Gjipesë e Vunoit.

Me automjetin në pronësi, tip “Audi A8”, autori u largua për në Greqi përmes pikëkalimit kufitar të Qafë Botës pasi ndoqi itinerarin Himarë-Kuç-Tepelenë-Delvinë e Sarandë. Arrestimi u bë në Korfuz ku dhe kishte prerë një biletë për të shkuar në Britaninë e Madhe. Tashmë, pritet ekstradimi.

Sa i përket hetimeve, dyshohet se vrasja mund të ketë qenë pasojë e një konflikti të çastit për prishje të pazareve të drogës në Angli pasi viktima dhe autori kishin njohje në këtë vend ku dyshohet se mund të kenë qenë të përfshirë në botën e krimit.