Ministria e Brendshme e Serbisë informoi dhe sot se është në kërkim të vazhdueshëm të Faton Hajrizit, shtetasit nga Kosova, i dyshuar për vrasjen e një punonjësi policie dhe plagosjen e një tjetri një ditë më parë në Loznicë, qytet në pjesën perëndimore të Serbisë pranë kufirit me Bosnjë-Hercegovinën.
Po ashtu, ky dikaster ka publikuar foton e Hajrizit e iu ka bërë thirrje edhe qytetarëve për bashkëpunim. Autoritetet janë duke kryer kontrolle në dy anët e lumit Drina, që gjendet në kufi mes Serbisë e Bosnjë-Hercegovinës, pasi besohet se sulmuesi mund të jetë nisur në atë drejtim, siç raportoi sot Radio Televizioni i Serbisë, (RTS).
Sipas ndihmësdrejtorit të Policisë, Dragan Vasileviç, helikopterët dhe dronët janë të përfshirë në kërkime intensive. Sulmi ndodhi dje në orët e para të ditës kur policia serbe ndaloi automjetin në të cilin po udhëtonte i dyshuari e kjo për një kontroll rutinor.
U raportua se agresori ka sulmuar me armë zjarri punonjësit e policisë dhe më pas u largua. Autoritetet serbe reaguan duke e konsideruar sulmin si “terrorist”.
Zyra e Prokurorisë për Krimin e Organizuar do ta konsiderojë rastin si një akt terrorist, sepse është një sulm ndaj zyrtarëve, u shpreh një ditë më parë ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç. Policia ka bërë të ditur se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e lëshuar në Kosovë në emër të Artan Hajrizit, i vitlindjes (1991), si dhe një letërnjoftim i tij gjerman.
Po ashtu, Daçiç vuri në dukje se po verifikohet nëse personi të cilit i janë gjetur dokumentet është vëllai i Artan Hajrizit, Faton Hajrizi, i arratisur nga burgu në Kosovë, disa ditë më parë. Artan Hajrizi reagoi dje për mediat në Kosovë e deklaroi se ndodhet në Gjermani dhe se vëllai i tij, Fatoni, i ka vjedhur pasaportën.
Ndihmësdrejtori i policisë serbe, Dragan Vasileviç u shpreh për RTS-në se policia gjermane është kontaktuar përmes Interpolit dhe se identiteti i të dyshuarit ende nuk është “konfirmuar me saktësi”. Po ashtu, ka thënë se autoritetet e sigurisë në Serbi po bashkëpunojnë “shumë mirë me ato të Republikës Sërpska në Bosnjë-Hercegovinë, me të Kroacisë, si dhe me përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë.