Rajoni

Vrasja e një efektivi dhe plagosja e një tjetri në veri, Policia e Kosovës: Sulm nga disa pozicione!

Përmes një njoftimi për media, Policia e Kosovës dha detaje lidhur me ngjarjen shumë të rëndë të mëngjesit të sotëm në veriun me shumicë serbe ku në fshatin Banjskë u vra një efektiv dhe u plagos një tjetër. Referuar burimeve policore, rreth orës 02:34 minuta të mëngjesit, njësitet për reagimin e shpejtë konstatuan dy mjete të rënda, kamionë pa targa, në një urë në hyrje të Banjskës.

Për shkak të bllokimit, nuk mund të bëhej hyrja përmes urës në këtë fshat. Pas marrjes së njoftimit, policia ndërhyri, por ndeshi në rezistencë të armatosur, çka rezultoi fatale për njërin prej efektivëve në shërbim, i cili humbi jetën në krye të detyrës. Policët u sulmuan edhe me granata dore.

Njësitë e rendit të stacionit policor Zveçan, pas pranimit të informacionit, i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërritur në afërsi të vendit, ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë.

Policia ka shtuar se njësitet e saj janë duke u sulmuar kohë pas kohe nga grupe të organizuara dhe të armatosura.

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti dënuan sulmin e orëve të para të ditës ndërsa gishtin e akuzës e drejtuan për nga Beogradi.  Sipas Osmanit, pas këtyre zhvillimeve qëndrojnë “bandat kriminale serbe, të organizuara nga Serbia”. Ndërkaq, Kurti foli për “sulm terrorist nga krimi i organizuar”, sipas tij, “me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar”. Shefi i qeverisë së Kosovës paralajmëroi se “kriminelët ekzekutorë” do të dështojnë dhe do të gjykohen.

Shefi i stafit të Presidentes së Republikës, Blerim Vela deklaroi se “burrat e vegjël të gjelbër” të Serbisë hynë me mjete të blinduara 15 kilometra brenda territorit të Kosovës. Sipas tij, presidenti serb, Aleksander Vuçiç ka nisur një agresion të pashembullt kundër Kosovës, por shtoi se “ai do të dështojë”.