Bota

Vrasja e liderit të Hamasit, Irani e aleatët po shqyrtojnë përgjigjen!

Vrasja në Teheran e Ismail Haniyeh-ut, liderit politik të Hamasit, grupit të shpallur “terrorist” nga SHBA-të dhe BE-ja ka tronditur rajonin, duke e rritur përsëri mundësinë e një luftë të përgjithshme mes Iranit e armikut të tij të përbetuar, Izraelit. Haniyeh u vra mëngjesin e djeshëm në një lagje të pasur në Teheran, pak pasi mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit iranian, Masud Pezeshkian në Parlament.

Kjo ishte vrasja më e fundit në një varg ekzekutimesh brenda dhe përreth kryeqytetit iranian vitet e fundit e për të cilat Republika Islamike ka fajësuar Izraelin. Shteti hebraik nuk e ka marrë përgjegjësinë për asnjërën prej këtyre vrasjeve.

Analistët thonë se “vrasja e Haniyeh-ut është goditje e rëndë për reputacionin tashmë të njollosur të organeve të sigurisë së Iranit” dhe se “do ta nxisë Teheranin të hakmerret”. Por, përgjigja nuk pritet të vijë drejtpërdrejt nga Republika Islamike.

Pak orë para vrasjes së liderit palestinez, Izraeli njoftoi se vrau një komandant të lartë të grupit militant libanez, Hezbollah, në një sulm ajror në Bejrut. Yossi Melman, analist me bazë në Tel Aviv dhe korrespondent i të përditshmes izraelite Haartez i tha Radios Farda të Radios Evropa e Lirë se Hezbollahu, i cili gëzon mbështetjen e Iranit “do të duhet të përgjigjet” sapo ta “marrë veten nga tronditjet dhe traumat”.

“Mesazh i fuqishëm” për Iranin dhe aleatët

Pak javë më parë, ministri në largim i Inteligjencës së Iranit, Esmai Khatib, tha se arritja më e madhe e dikasterit që drejtoi ishte “prishja e rrjetit infiltrues të Mosadit”, referuar Agjencisë së Inteligjencës së Izraelit.

Vrasja e Haniyeh-ut në Teheran në kohën kur siguria ishte shumë e lartë për shkak të pranisë së dhjetëra zyrtarëve të lartë vendas e të huaj për inaugurimin e Pezeshkianit, bëri që pretendimi i Khatibit të kritikohet.

Natyrisht, ky është një dështim i madh i sigurisë së Iranit, në një sërë dështimesh që kanë ndodhur me dekada, të cilat dëshmojnë se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë qasje në disa prej fshehtësive më të mëdha të Republikës Islamike dhe mund t’i përdorin për t’i shkaktuar humbje të mëdha, tha Farzan Sabet, hulumtues e profesor i asociuar në Geneva Graduate Institute. Vrasja e Haniyeh-ut e turpëron bujshëm Republikën Islamike dhe i dërgon mesazh të fuqishëm se asnjë zyrtar apo aleat i saj nuk është i sigurt.

Përgjigja e mundshme

Në prill, Irani kreu një sulm të paparë raketor e me dronë kundër Izraelit, duke u hakmarrë për bombardimin e një kompleksi diplomatik në Damask. Disa ditë më vonë, sulmet e dyshuara izraelite goditën një bazë ushtarake pranë qytetit qendror iranian, Isfahan.

Teherani e ka shmangur përfshirjen e drejtpërdrejtë në luftën e tanishme mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës, e cila shpërtheu në tetor, por ka përdorur rrjetin e grupeve militante për ta goditur Izraelin.

Sabet shton:

Republika Islamike mund ta ndiejë presionin për t’u përgjigjur drejtpërdrejt për vrasjen e Haniyehit, pasi u turpërua duke dështuar ta parandalojë vrasjen e tij në tokën iraniane.

Lideri suprem, Ayatollah Ali Khamenei, tha:

Eshtë detyra jonë të hakmerremi për të.

Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara deklaroi se përgjigja e Teheranit do të jetë me “operacione të posaçme, më të fuqishme, për t’i bërë organizatorët të pendohen thellësisht”.

Irani po përballet me një enigmë: Nëse i përgjigjet drejtpërdrejt [Izraelit], pasojat ushtarake dhe politike mund të mos jenë në të mirë të saj, tha për Radion Farda, Hamidreza Azizi nga Instituti Gjerman për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Sigurisë.

Prandaj, mendoj se përgjigja, e cila do të jetë serioze do të vijë përmes Hezbollahut dhe të paktën jo prej territorit të Iranit, siç e pamë në prill.

Alireza Namvar Haghighi, profesor në Universitetin e Torontos, paralajmëroi se mund të jetë e “rrezikshme” për Iranin ta lejojë veten të përfshihet nga emocionet e të bjerë në “kurthin” e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu për ta zhytur Iranin në një konflikt të gjerë në Lindjen e Mesme.

Irani duhet t’i menaxhojë tensionet.