Presidenti amerikan, Joe Biden dhe zv.presidentja Kamala Harris thanë se vdekja e udhëheqësit të Hamasit, Yahya Sinwar, përgatiti terrenin për rikthimin e pengjeve izraelite e përfundimin e luftës në Gaza. Yahya Sinwar ishte organizator i sulmit të 7 tetorit 2023 që shkaktoi luftën në Gaza të forcave izraelite në enklavën palestineze. Për Izraelin shënoi një sukses të madh e një moment historik në konfliktin 1-vjeçar. Nga Gjermania, presidenti Biden foli për gazetarët pasi zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
Tani është koha për të ecur përpara. Vazhdoni, lëvizni drejt një armëpushimi në Gaza, sigurohuni që po ecim në një drejtim që do të jemi në gjendje t’i bëjmë gjërat më mirë për të gjithë botën. Eshtë koha që kjo luftë të përfundojë dhe pengjet të rikthehen në shtëpi. Pra, këtë jemi të gatshëm të bëjmë.
I pyetur nëse ndihet më me shpresë për një armëpushim, presidenti Biden tha se “po”, si dhe shfaqi shpresën që lufta të përfundojë shumë shpejt. Biden informoi se për 4 apo 5 ditë, në Izrael do të dërgojë sekretarin e Shtetit, Antony Blinken. Bisedimet do të përfshijnë marrëveshjet për Gazën e pasluftës.
Do të punojmë për… se si do të jetë e nesërmja. Si ta sigurojmë Gazën dhe të ecim përpara.
Pas muajsh fillimi dhe ndalimi, negociatat për armëpushimin nuk kanë patur sukses dhe nuk treguan asnjë shenjë lëvizjeje prej disa javësh. Pas vdekjes së Yahya Sinwarit, për të cilin zyrtarët amerikanë thonë se ishte “pengesa kryesore për bisedimet”, Uashingtoni do të “dyfishojë” përpjekjet mbi propozimin për armëpushim. Kjo u bë e ditur nga Departamenti amerikan i Shtetit.
Por kryeministri Netanyahu, i cili ndonjëherë është akuzuar për vonesa në arritjen e një marrëveshjeje, konfirmoi se lufta do të vazhdojë. Në një deklaratë nga zyra e tij, pas bisedës me presidentin Biden, thuhet se “dy udhëheqësit ranë dakord se vdekja e Yahya Sinwar-it ka krijuar një mundësi për të nxitur lirimin e pengjeve në Gazë dhe se ata do të punojnë së bashku për ta arritur këtë objektiv”.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, gjatë telefonatës “diskutuan se si ta përdornin këtë moment për të risjellë pengjet në shtëpi dhe për ta mbyllur luftën, me sigurinë e Izraelit të garantuar e me një Hamas që nuk do të jetë më kurrë në gjendje të kontrollojë Gazën”.
Ndërkaq, zv.presidentja Harris u shpreh:
Ky moment na jep një mundësi që përfundimisht t’i jepet fund luftës në Gaza. Lufta duhet të përfundojë në mënyrë që Izraeli të jetë i sigurt, pengjet të lirohen, vuajtjet në Gaza të marrin fund dhe populli palestinez të mund të përmbushë të drejtën e tij për dinjitet, siguri, liri e vetëvendosje. Eshtë koha që e nesërmja të fillojë pa Hamasin në pushtet.