Aktualitet Bota

Vrasja e komandantit të Hezbollahut, Irani sulmon me raketa në Tel Aviv! (VIDEO)

Pas vrasjes së komandantit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, Irani ka vendosur t’i përgjigjet Izraelit, duke lëshuar mbrëmjen e sotme dhjetëra raketa.

Pas sulmeve, sirena alarmi janë dëgjuar në Tel Aviv dhe Jerusalem, ndërsa ushtria izraelite ka dalë me një deklaratë.

“Pak kohë më parë, raketat u lëshuan nga Irani drejt shtetit të Izraelit. Ju udhëzojmë të qëndroni vigjilentë dhe të ndiqni me saktësi udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm”, ishte mesazhi për qytetarët.

“IDF po bën dhe do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur civilët e shtetit të Izraelit”, thuhet ndër të tjera.

 

Irani kishte premtuar se do të hakmerrej për sulmet ajrore izraelite të javëve të fundit që vranë udhëheqësinë e lartë të Hezbollahut në Liban, grupit militant që është cilësuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.

Bashkimi Evropian e ka futur në listën e zezë krahun e armatosur të Hezbollahut, por jo partinë e tij politike, e cila ka vende në parlamentin libanez. Ndërsa, grupi palestinez, Hamas, është shpallur organizatë terroriste edhe nga SHBA-ja, edhe nga BE-ja.

Pas sulmit, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, urdhëroi ushtrinë amerikane ta “ndihmojë mbrojtjen e Izraelit” dhe të rrëzojë raketat iraniane që po shënjestrojnë Izraelin, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Pas sulmeve, Izraeli, Iraku dhe Jordania lajmëruan se kanë mbyllur përkohësisht hapësirat ajrore.

Më herët gjatë ditës, ushtria izraelite tha se kishte nisur sulme “të shënjestruara dhe precize” brenda Libanit në atë që e quajti një “inkursion të kufizuar” tokësor që filloi gjatë natës, duke shtuar se trupat e saj ishin të përfshira në “luftime të ashpra” me Hezbollahun.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, tha se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për ta ndihmuar Izraelin të mbrohet nga sulmet me raketa të Iranit dhe për ta mbrojtur personelin ushtarak amerikan në rajon.

Ai e dha këtë deklaratë në platformën X, pas një takimi që zhvilloi me zëvendëspresidenten Kamala Harris dhe ekipin e sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

Më herët, një zyrtar i lartë i administratës amerikane kishte paralajmëruar se Irani po përgatitet për të nisur një sulm “të menjëhershëm” me raketa balistike ndaj Izraelit, duke shtuar se do të kishte “pasoja të rënda” nëse një gjë e tillë ndodh.

Zyrtari amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se Shtetet e Bashkuara po mbështesin aktivisht përgatitjet e Izraelit për mbrojtje. Anije dhe avionë amerikanë janë vendosur në rajon për ta ndihmuar Izraelin në rast të një sulmi.

Pas paralajmërimeve për një sulm të tillë, ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, pati një bisedë me homologun e tij amerikan, Lloyd Austin.

“Ministri dhe sekretari diskutuam për gatishmërinë operacionale të Izraelit për të mbrojtur qytetarët dhe asetet ushtarake, si dhe për pozicionin e forcave amerikane në rajon”, tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë.

Irani nisi një sulm të drejtpërdrejtë të paprecedentë ndaj Izraelit në prill të këtij viti, por pak nga raketat arritën objektivat e tyre. Shumica u rrëzuan nga një koalicion i udhëhequr nga SHBA-ja, ndërsa të tjerat duket se dështuan gjatë lëshimit ose u rrëzuan gjatë fluturimit.

Ky zhvillim vjen pasi ushtria izraelite më 1 tetor paralajmëroi njerëzit të evakuonin dhjetëra vendbanime në kufirin me Libanin, disa orë pasi njoftoi se ishin duke kryer operacione “të kufizuara tokësore” kundër Hezbollahut.