Aktualitet

Vrasja e Klaudio Prendit, zbardhet dëshmia e policëve që ishin shokë me viktimën!

Janë marrë në pyetje shokët e Klaudio Prendit, 28-vjeçarit i cili mbeti i vrarë nga një atentat ditën e djeshme pas mesnate.

Burime për Top Channel bëjnë me dije se shokët e tij, të cilët janë edhe efektivë policie, kanë deklaruar se ishin me të para se të ndodhte ngjarja, por nuk ishte i shqetësuar dhe nuk ka treguar për ndonjë problem.

Ata kanë treguar se qëndruan së bashku për rreth dy orë në një bar kafe në zonën e Xhamllikut në Tiranë, e më pas kanë lëvizur në drejtime të ndryshme.

“Kur po shkonim te makinat tona, dëgjuam për ngjarjen, nuk pamë asgjë”, kanë deklaruar miqtë e tij.

Gjatë kontrollit të makinës që u dogj në Farkë, efektivët kanë gjetur edhe armën e llojit pistoletë.

Sot 28-vjeçarit Klaudio Prendi i jepet lamtumira e fundit.

Klaudio Prendi, i cili u ekzekutua me pistoletë me selenciator sapo hyri në makinën e tij “G Class” dyshohet se kohët e fundit kishte përplasje me persona të tjerë për borxhe.

Grupi i hetimit ka disa pista, ndërkohë që nuk është marrë ende dëshmia e ish-gjyqtarit, Fan Prendi, babait të viktimës.

Djali i ish gjyqtarit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, u ekzekutua në orët e para të 19 nëntorit 2024 teksa po hynte në mjet pasi kishte dalë nga një lokal ku ndodhej me miqtë në zonën e njohur si ‘Xhamlliku’ në Tiranë.