Aktualitet

Vrasja e Enver Ballës, gjykata lë në burg të birin dhe bashkëpunëtorin/Esmeraldi: U vetëmbrojtja!

“Arrest me burg” vendosi Gjykata e Durrësit për dy të akuzuarit e krimit horror në Shënavlash ku një 62-vjeçar u gjet i vrarë me pistoletë dhe i hedhur në një pus. Hetimet çuan në arrestimin e djalit të viktimës, Esmerald Balla dhe bashkëpunëtorit Edison Brahaj, i cili tha se u pagua për të ndihmuar në fshehjen e trupit të pajetë të Enver Ballës. Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 gusht, por u zbulua pak ditë më parë.

Esmeraldi deklaroi se konflikti kulmoi për humbjen e 75 mijë eurove në kasafortën e kursimeve. Konfliktet mes babait e djalit vazhdonin prej kohësh pasi akuzonin njëri-tjetrin për zhdukjen e parave. Në gjykatë, 30-vjeçari sërish tha se veproi për vetëmbrojtje duke pretenduar se i ati do ta vriste.

Nuk ka kthim prapa, e bëra për vetëmbrojtje. Jam penduar.

Organi i akuzës kërkoi izolimin e Ballës e të Brahjas në paraburgim për veprat penale të vrasjes me dashje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës, armëmbajtjes pa leje, fshehjes së kufomës dhe përkrahjes së autorit të krimit. Gjyqtari e konsideroi të ligjshëm arrestimin e tyre dhe pranoi masat e sigurisë të kërkuara nga prokurori.

Para grupit hetimor, i punësuari si bari nga familja Balla, Edison Brahaj pranoi se ditën e krimit gjendej disa metra larg vendit ku u ekzekutua 62-vjeçari e se dëgjoi dy të shtëna dhe më pas u thirr nga autori i dyshuar, për ta ndihmuar të zhvendosin trupin e viktimës që fillimisht e fshehën në ferra.

Të nesërmen (më 14 gusht) u kthyen dhe e morën trupin për ta hedhur në pusin afër një stani tjetër. Për këtë, Brahaj deklaroi se Esmerald Balla i dha para e për shumën ka kontradikta, por pavarësisht kësaj, akuzohet për “Fshehje ose asgjësim të kufomës”, “Moskallëzim të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Pas vrasjes dhe hedhjes në pus të kufomës në mesin e muajit të kaluar, Esmerald Balla denoncoi në polici largimin e babait nga banesa dhe nisi të vinte në zbatim skenarin e zhdukjes së babait me një grua duke marrë me vete kursimet e familjes në vlerën e 7.5 milion lekëve.

Hetimet po vazhdojnë me intensitet për të zbuluar nëse ka të tjerë bashkëpunëtorë të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë.