Aktualitet

Vrasja e Egli Progës në Pogradec, ekspertiza: Pësoi hemorragji në tru nga goditja me grusht!

Instituti i Mjekësisë Ligjore ka përfunduar ekspertimin mjeko-ligjor për 42 vjeçarin Egli Proga, i cili u rrah për vdekje në një lokal në Pogradec, më 10 gusht.  Raporti përshkruan dëmtimet e konstatuara në kokën e trupin e viktimës, si në pjesët e ballit, hundës, veshit, faqes, supit të majtë e që theksohet se “janë shkaktuar me mjet të fortë mprehës, siç mund të jetë edhe goditja me grusht”.

Sipas aktit të ekspertimit, shkaku i vdekjes së 42 vjeçarit është:

Hemorragji në cipën e trurit dhe hemorragji e indit trunor. Në mostrën e gjakut të viktimës u zbulua prani e alkoolit etilik në vlerën mesatare 2.82 gramë për litër.

Akt-ekspertimi mjeko-ligjor iu dërgua Prokurorisë së Korçës, e cila po vijon hetimet për vrasjen e Egli Progës. Si autor të dyshuar, policia arrestoi shtetasin Denis Meço, me akuzën e vrasjes me dashje dhe procedoi për moskallëzim krimi Voltan Shkulakun, Leonidha Guçen e Arjan Manellarin.

Por, në seancën gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë, Prokuroria e Korçës lehtësoi akuzën për Denis Meçon nga vrasje me dashje, në vrasje nga pakujdesia. Kjo solli dhe përplasje mes policisë e organit të akuzës.

Në momentin që bluzat e bardha kanë konfirmuar vdekjen e Egli Progës, i pranishëm në spital ka qenë efektivi Artur Lilo, i cili njoftoi sallën operative se një i dehur u rrëzua në tokë e humbi jetën. Në spital ka qenë i pranishëm edhe kushëriri i Egli Progës, i cili dëgjoi telefonatën e reagoi duke i thënë policit se Egli ishte dhunuar.

Lajmet për vdekjen e Egli Progës u shpërndanë më 10 gusht në media, si vdekje aksidentale, por policia doli me reagim zyrtar rreth 16 orë me vonesë, konkretisht më 11 gusht rreth orës 10:15 e konfirmoi se kemi të bëjmë me një vrasje, si dhe referoi materialet në prokurori për akuzën vrasje me dashje.

Po ashtu, uniformat blu të Pogradecit njoftuan se kanë arrestuar autorin e dyshuar Denis Meçe, por në njoftimin e Prokurorisë më 14 gusht, thuhet se pasi u identifikua autori i dyshuar, u kryen veprime për gjetjen e vendndodhjes së tij ndërsa Meçe u dorëzua vetë në komisariat.

Në dëshminë e dhënë, Meçe deklaroi se nuk kishte qëllim vrasjen e Progës. Sipas Meçes, tentoi ta godasë, por nuk e bëri, me pretendimin se Proga u rrëzua vetë në tokë. Më pas, i çorientuar u largua.