Aktualitet

Vrasja e biznesmenit Nikulaj në Shëngjin, identitetet e plota të 6 të përfshirëve!

Top Channel siguroi identitetet e plota të gjashtë personave që dyshohet se u përfshinë në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin, më 19 prill.  Autori i dyshuar që kreu ekzekutimin është shtetasi portugez Ruben Ribeiro Saraiva, i lindur në vitin 1995.

Bashkëpunëtorët janë:

Edmond Ernest Haxhia, i lindur më 1985-ën, shtetas shqiptaro-britanik

Harry James  Simson, shtetas britanik i lindur më 1991-shin,

Harriet Bridgeman, shtetase britanike, e lindur më 1995-ën

Thomas Mithan, shtetas britanik, i lindur në vitin 1988

Steven Paul Hunt shtetas britanik, i lindur në vitin 1974

Vrasjen e planifikuar prej muajsh në Londër, e bënë realitet 9 ditë më parë kur i veshur me jelek fosforishent dhe me maskë mjekësore në fytyrë, Saraiva hyri i armatosur në lokalin ku Ardian Nikulaj po konsumonte kafen dhe e qëlloi me breshëri plumbash.

Elton e Klodian Lestakaj, të cilët jetojnë në Angli ishin në gjak me Nikulajn. Edmond Haxhia është djali i dajës së tyre dhe dyshohet se porositi vrasësit.

Në Londër jetonin të gjashtë anëtarët e grupit kriminal që kryen ekzekutimin. Një ditë më parë, në një banesë në fshatin Gjadër u gjetën pjesërisht të djegura disa veshje që dyshohet se janë të ekzekutorit të 50-vjeçarit.

Nga vëzhgimi i imtësishëm i pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se në vendngjarje, ekzekutori i biznesmenit Ardian Nikulaj kishte shkuar 8 orë para vrasjes.

Gjatë kësaj kohe qëndronte në një pallat në ndërtim nga ku doli vetëm pasi u sinjalizua se ishin krijuar kushtet e përshtatshme për kryerjen e ekzekutimit në lokalin “Coral”. Pallati  është rreth 100 metra larg lokalit.

Zbatimi i planit nisi para tre muajsh kur Edmond Haxhia mbërriti në Shqipëri e nisi të studionte lëvizjet e objektivit, si dhe rrugët që do të ndiqnin pas kryerjes së vrasjes.

Pas Haxhiajt, më 14 shkurt në vendin tonë mbërriti ekzekutori portugez. Ruben Saraiva qëndroi në Shkodër, në një banesë të marrë me qira dhe shpesh është kapur nga kamerat e sigurisë pranë lokalit “Coral” në Shëngjin, duke ndjekur objektivin e tij. Në pjesën më të madhe të rasteve, lëvizte me të njëjtat rroba e të njëjtin maskim.

Muajin e kaluar mbërritën tre britanikë, mes tyre një vajzë. Ata kryenin rolin e vëzhguesit duke u fshehur si turistë. Ata kanë shkuar edhe brenda lokalit në pronësi të Ardian Nikulajt, duke fotografuar ambientet e studiuar daljet. I fundit në Shqipëri, mbërriti Steven Hunt, i cili zbriti në Rinas më 11 prill. Dyshohet se ishte personi që njoftoi Ruben Saraivën se objektivi ishte i vetëm në tavolinë e mund të vepronte.

Të gjithë lanë Shqipërinë brenda dy ditëve nga vrasja, por nuk mundën të fshehin të gjitha gjurmët.