Aktualitet

Vrasja e 27-vjeçarit në Tiranë, dorëzohen të gjithë personat në kërkim!

“Vrasje nga pakujdesia” dhe “Vrasje për shkak të konfliktit të çastit” janë pistat ku po fokusohen hetimet për ngjarjen e ndodhur rreth mesnate në Tiranë ndërsa arma e krimit nuk është gjetur ende.

Në një lokal në rrugën “5 Maji” mbeti i vrarë 27-vjeçari Mehmet Qema, i cili u qëllua për vdekje nga shoku i tij, Marjus Dema 28-vjeç. Në lokalin e marrë me qira nga Dema, me miq të tjerë, ata po konsumonin pije alkoolike dhe sipas ekspertizës, jo lëndë narkotike.

Fillimisht, autori u shpall në kërkim por sot u dorëzua në polici dhe deklaroi se me viktimën ishin shokë e nuk kishte qëllim ta vriste. Më tej tha se “armën e kishte sjellë në tavolinë vetë viktima” e se ai nuk e dinte që ishte e mbushur.

Për “Moskallëzim krimi” e “Veprime që pengojnë të vërtetën” u shpallën në kërkim 5 persona të tjerë që gjendeshin në të njëjtën tavolinë dhe u dorëzuan sot. Uniformat blu vijojnë hetimet.