Aktualitet

Vrasja e 2009-ës në Elbasan e ish-efektivit “Doda”, identifikohet një tjetër i përfshirë!

Një tjetër autor u identifikua lidhur me vrasjen e ish-oficerit të Krimeve, Roland Rexhepi në vitin 2009, duke e çuar në pesë numrin e personave të përfshirë në atentat. Policia bën të ditur se shpalli në kërkim Gëzim Ballën, banues në Elbasan, i cili nga hetimet rezulton si bashkëpunëtor në atentatin e bujshëm ndaj Roland Rexhepit, i njohur si “Doda”. 50-vjeçari rezulton i dënuar më parë për prodhim e shitje narkotikësh e si anëtar i një grupi kriminal.

Policia njofton: 

Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Elbasan në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan si rezultat i hetimeve intensive proaktive për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, si edhe identifikimin e shtetasve të përfshirë në to, identifikuan dhe shpallën në kërkim Gëzim Balla, 50 vjeç, banues në Elbasan.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, ka caktuar ndaj këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit.

Për ekzekutimin e ish-efektivit të Antidrogës, deri tani janë arrestuar Marjus Tafa e Armando Llakaj, të dy të dënuar me 24 e 23 vite burg, Florind Shabani, i ekstraduar në fillim të janarit 2022 nga Gjermania, si dhe Donald Hoxha, i ekstraduar nga Anglia dy muaj më parë. Dyshohet se në bashkëpunim ekzekutuan ish-oficerin.

Roland Rexhepi u ekzekutua në Elbasan, në vitin 2009. Ai njihej si krahu i djathtë i ish-komisar Kosenit. Rexhepi u vra me armë zjarri në pragun e shtëpisë së tij. Dy vite më pas, iu vra vëllai, Ilir Rexhepi, biznesmen i njohur në qytetin e Elbasanit.

Ekzekutimi i ish-oficerit u realizua mëngjesin e 23 korrikut 2009. Ai mbeti i vdekur në vend, pasi u qëllua me breshëri nga dy armë zjarri të llojit automatik. Autorët ishin të maskuar, por ekspertët e kriminalistikës mundën të siguronin provat e ADN-së në një motor, në bishta cigaresh e në një kapuç të gjetur më vonë.

Krahasimi i tyre bëri të mundur zbardhjen e identiteteve të autorëve, edhe pse dy të dënuarit nuk e  pranuan asnjëherë krimin. Në rastin e Florind Shabanit, autoritetet hetimore nga Gjermania sollën provat e ADN-së së tij, pasi rezultoi i dënuar në shtetin gjerman për trafik lëndësh narkotike.

Ende pa u zbardhur vrasja e parë, në qendër të Elbasanit u ekzekutua biznesmeni Ilir Rexhepi, vëllai i ish-efektivit, më 30 dhjetor 2011.