Deputetja demokrate, Ina Zhupa reagoi sot në Kuvend për ngjarjen e rëndë pranë shkollës “Fan Noli” në kryeqytet, ku u godit me thikë për vdekje 14-vjeçari Martin Cani. Zhupa e cilësoi “ngjarje të paralajmëruar” e kërkoi dorëheqjen e ministres së Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Ishte një ngjarje më e rëndë se sa e kishim imagjinuar dje, sepse ishte e paralajmëruar. Ishte një ngjarje në oborrin e shkollës, ku ishin njoftuar mësues, drejtorë, oficerë sigurie. Kishte që të premten që ndodhte dhe nuk reagonte e nuk bënte gjë askush.
Zhupa kërkoi që të mbahet një minutë heshtje në Kuvend dhe u shpreh se për sigurinë në shkolla nuk mund të reagohet vetëm kur ndodhin ngjarje të tilla.
Uroj që ministrja Manastirliu, e cila nuk ndodhet këtu, të jetë duke shkruar dorëheqjen. Më vjen shumë keq që ne duhet të kthejmë kokën nga arsimi vetëm kur ndodh një rast i tillë. Ju flisnit këtu për paketën e sigurisë në shkolla, ku e çuat? Te thikat që hyjnë në shkolla, te hashashi dhe droga që hyjnë në shkolla? Kjo është paketa që marrin brenda çantës fëmijët tanë në shkolla.
Deputetja demokrate Zhupa vuri në dukje se një ngjarje e tillë, nuk mund të kalohet sikur nuk ka ndodhur asnjë gjë.
Si mund ta kalojmë këtë me normalitet e nuk duhet të kërkojmë përgjegjës? Duhet të flasim ne, të jemi të parët që ngremë zërin. Doni ta amnistoni ministren Manastirliu dhe ministrin Hoxha? Ne flasim për një skandal vetëm kur ka një vdekje. Ne jemi vrarë si shoqëri, nuk jemi më shoqëri nëse presim një vdekje që të flasim për çështjet. Jemi thjesht një grumbull njerëzish që jetojmë me njëri-tjetrin nëse nuk kemi sensibilitet edhe për këtë vrasje. “Fan Noli” ishte shkolla e parë e rankuar për rezultate më të mira në mësime. Imagjinoni çfarë ngjarjesh tragjike kemi në shkollat e tjera të vendit!