Aktualitet Lajmet e fundit

Vrasja e 14-vjeçarit në Tiranë, Autoriteti i Mediave Audiovizive apelon për profesionalizëm në mbulimin e tragjedisë

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka reaguar pas tragjedisë që ndodhi në Tiranë më 18 nëntor 2024, ku një 14-vjeçar humbi jetën dhe disa të tjerë u plagosën gjatë një akti dhune mes adoleshentëve. AMA ka vlerësuar se shumica e mediave audiovizive kanë mbuluar ngjarjen me profesionalizëm dhe kujdes, duke respektuar dhimbjen e familjarëve dhe dinjitetin e të prekurve.

Megjithatë, AMA ka theksuar se janë vënë re disa shkelje, përfshirë publikimin e të dhënave të pasakta dhe të panevojshme, të cilat përbëjnë abuzim dhe përpiqen të shfrytëzojnë ngjarjen për qëllime sensacionaliste. AMA ka apeluar për respektimin e etikës profesionale dhe ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes së interesave të fëmijëve dhe familjeve të prekura.

LEXO EDHE: “Kontroll fizik në shkollë”, sociologët tregojnë një nga masat që duhet të merren për sigurinë në shkolla…

Në përputhje me ligjin dhe aktet nënligjore, AMA theksoi se do të monitorojë dhe shqyrtojë çdo shkelje të mundshme dhe do të ndërmarrë masa ndaj subjekteve që nuk respektojnë kërkesat ligjore dhe etike.

Reagimi i plotë i AMA:

Prej ditës së hënë, 18.11.2024, edhe mediat audiovizive po përcjellin me informacione të ndryshme ngjarjen e rëndë që ndodhi në kryeqytet, viktimë e së cilës u bë një 14-vjeçar.

Mbulimi i dinamikës së ngjarjes dhe kërkimi i shkaqeve, që e shtynë grupin e adoshelentëve drejt dhunës, si pasojë e së cilës humbi jetën njëri prej tyre dhe u plagosën disa të tjerë, nga shumica e mediave audiovizive po kryhet me profesionalizëm dhe kujdes, që raportimi të mos lëndojë më shumë familjarët dhe të afërmit, në respekt të dhimbjes dhe dëshpërimit të tyre.

Gjatë monitorimit është vënë re megjithatë edhe publikim të dhënash dhe hollësish të panevojshme apo të pakonfirmuara, të cilat përbëjnë abuzim, me synim shfrytëzimin e ngjarjes nga këndvështrimi sensacional, duke lënë pas anën e saj njerëzore. Natyrisht raste të tilla do të trajtohen, siç e parashikojnë dispozitat ligjore, por sot, më e rëndësishmja është ruajtja e etikës profesionale dhe respektimi i kodeve njerëzore.

Në emër të interesit më të lartë të fëmijës, respektit ndaj dhimbjes së familjarëve, ndjeshmërisë së mbarë opinionit publik shqiptar dhe detyrimit shoqëror gjithëpërfshirës, për të mos lejuar, që ngjarje të tilla të shndërrohen në precedent, Autoriteti i Mediave Audiovizive bën thirrje për profesionalizëm dhe përgjegjësi maksimale, përputhur me standardet e parashikuara në ligjin 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, Kodin e Transmetimit dhe aktet e tjera nënligjore në fuqi.

Autoriteti i Mediave Audiovizive, i cili nga ana e vet, vijon monitorimin e transmetimeve, do të shqyrtojë çdo rast të mosrespektimit të kërkesave ligjore, duke ua adresuar ato redaksive respektive. Pritshmëria e Autoritetit është pasqyrimi sa profesional aq edhe etik i ngjarjes, në respekt të dhimbjes, ndjenjave dhe dinjitetit të të prekurve.