Aktualitet

Votimi në Kuvend për çështjen Xhaçka, reagon delegacioni i BE-së në Tiranë!

Delegacioni i BE në Tiranë ka reaguar për mediat në lidhje me votimin në Kuvend të mandatit të Olta Xhaçkës.

Në reagimin e tij delegacioni i BE shpreh shqetësimin për sundimin e ligjit në Shqipëri dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese që nuk janë zbatuar nga Parlamenti.

“Ne kemi shprehur shqetësimet tona edhe në raportin e fundit mbi Sundimin e Ligjit në Shqipëri, lidhur me faktin që disa vendime të Gjykatës Kushtetuese nuk janë zbatuar nga Parlamenti, përfshirë edhe në lidhje me këtë çështje, ku vendimi i Gjykatës Kushtetuese daton më shumë se një vit e gjysmë më parë (janar 2023).

Na inkurajoi fakti që Kryetarja e Parlamentit, gjatë hapjes së sesionit parlamentar javën e kaluar, theksoi si prioritet nevojën që Kuvendi të ndjekë vendimet e mbetura të Gjykatës Kushtetuese.
Ajo çka ndodhi dje nuk është një hap në drejtimin e duhur.

Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti është një çështje thelbësore pasi lidhet me kontrollet dhe balancat institucionale në sistemin demokratik të vendit”, shprehet Delegacioni i BE.

Rasti i mandatit të deputetes Xhaçka e ka zanafillën që në qershor të vitit 2022, kur 14 deputetë demokratë, iu drejtuan parlamentit me një mocion për konstatimin e pavlefshmërisë dhe përfundimin e mandatit të ish-ministres.

Paralelisht, disa ditë më vonë një mocion i ngjashëm u paraqit dhe nga një tjetër grup deputetësh të opozitës. Sipas tyre zonja Xhaçka ishte në konflikt interesi, duke qenë se bashkëshorti i saj, ish deputeti socialist Artan Gaçi, kishte përfituar statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një hoteli në bregdetin e Dhërmiut.

Ndërkohë që vetë zonja Xhaçka ka këmbëngulur se ajo nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike, dhe se statusi që ka përfituar bashkëshorti i saj nuk parashikon që diçka e tillë të ndodhë.

Në atë kohë, socialistët vlerësuan se nuk plotësoheshin kriteret për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Në nëntor 2022, ata votuan kundër mocionit të opozitës, e cila menjëherë më pas iu drejtua Gjykatës.

Kjo e fundit u përball me dy kërkesa, njëra nga 1 e dhjeta e deputetëve, për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave mes tyre dhe parlamentit dhe shfuqizimin e vendimit të marrë prej tij, dhe tjetra, nga 1 e pesta e deputetëve që përveç shfuqizimit të vendimit, kërkonte konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit, pra shqyrtimin prej saj, direkt të rastit.

Gjykata i kaloi të dyja kërkesat në seancë gjyqësore, por në fund, në janar të vitit 2023, i dha të drejtë 1 të dhjetës së deputetëve duke rrëzuar vendimin e parlamentit dhe duke vlerësuar se çështja duhej trajtuar prej saj dhe jo nga parlamenti, i cili sipas Kushtetueses, duhet të kishte pranuar mocionin e opozitës. Ndërsa kërkesa e 1 të pestës së deputetëve u pushua.

Për më shumë se 1 vit, rasti u mbajt zvarrë nga parlamenti, dhe vetëm në prill 2024, kaloi sërish në seancë plenare, ku 72 votat kundër të shumicës, bllokuan sërish dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.

Socialistët iu referuan përcaktimit ligjor se “parlamenti vendos” dhe se vendimet merren me votë, e deputetët janë të lirë për mënrën se si votojnë, dhe se kjo përcaktohet në Kushtetutë ku thuhet se mandati i tyre nuk është detyrues.

Opozita e cilësoi qëndrimin e socialistëve një “puç kushtetues” dhe iu drejtuan sërish gjykatës, e cila në korrik të këtij viti shfuqizoi sërish vendimin e parlamentit, duke kërkuar sërish nga parlamenti që rasti t’i përcillej asaj.