Thjeshtohet regjistrimi i votuesve nga jashtë. Në mbledhjen e sotme, Komisioni Rregullator miratoi projektvendimin “Për miratimin e listës së dokumentacionit që kërkohet për të vërtetuar qëndrimin e zgjedhësit shqiptar që voton jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë me qëllim regjistrimin në listën e zgjedhësve jashtë vendit”.
Sipas këtij vendimi, gjatë paraqitjes së kërkesës së tij për regjistrim në listën e zgjedhësve jashtë vendit referuar rregullave të miratuara nga Komisioni Rregullator, zgjedhësi ngarkon në platformën elektronike të regjistrimit të paktën një nga dokumentet e listuara që vërteton qëndrimin e tij jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Eshtë fjala për:
1. Certifikatë pronësie ose dokument ekuivalent në shtetin e rezidencës, që provon pronësinë e banesës;
2. Dokument që provon rezidencën në shtetin e huaj i lëshuar nga autoritetet përkatëse;
3. Kontratë qiraje ose huapërdorje të banesës;
4. Dokumente bankare (kontratë kredie/vërtetim bankar etj.) që përmban adresën e banimit;
5. Kontratë furnizimi ose faturë të furnizimit me ujë në banesë;
6. Kontratë furnizimi ose faturë të energjisë gaz ose elektrike në banesë;
7. Kontratë ose faturë të abonimit të shërbimit digjital të transmetimeve audiovizive;
8. Kontratë ose faturë të shërbimit të internetit të telefonisë fikse në banesë;
9. Dokument i lëshuar nga organi kompetent i shtetit ku ka vendbanimin i cili vërteton qëndrimin e zgjedhësve në një institucion shëndetësor, kamp emigracioni apo tjetër të ngjashëm;
10. Dokument pronësie ose ekuivalent i lëshuar në shtetin e rezidencës që provon pronësinë e banesës;
11. Leje drejtimi automjeti (patentë) në rastet kur shënohet adresa e banimit;
12. Ose çdo dokument tjetër të lëshuar në shtetin e huaj që provon qëndrimin e shtetasit shqiptar në adresën e deklaruar jashtë vendit.
Sipas kryetares së Komisionit Rregullator, Ilirjana Nano, e cila propozoi pikën e fundit të këtij projektvendimi, “kjo i hap rrugën edhe dokumenteve të tjerë që mund të përdoren”, por siç vuri në dukje, “e rëndësishme është që të përputhen me adresën e vetëdeklaruar”.