Vota e Diasporës, Komisioni Rregullator mblidhet pasdite. Në fokus, projektvendimi “Për miratimin e rregullave për regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë vendit dhe përgatitjen e listës së zgjedhësve”. Dy ditë më parë, përfaqësuesi demokrat propozoi të hiqet togfjalëshi “dokument identifikimi i vlefshëm”. Një anëtar i Komisionit tha se këtë të drejtë e ka qeveria. Pas debateve, mbledhja u ndërpre për të rinisur sot në orën 17:00.
Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Franc Nuri, propozoi që të hiqet togfjalëshi “dokument identifikimi i vlefshëm” për zgjedhësit në diasporë.
Kërkojmë që në dokumentet e identifikimit të mos përcaktohet nëse janë të vlefshëm apo jo.
Anëtari i Komisionit Rregullator, Dritan Çaka tha:
Duhet ta lejojmë një aplikim të qytetarit për të votuar me çfarëdolloj dokumenti identifikimi.
Kryetarja e Komisionit Rregullator, Ilirjana Nano ngriti pyetjen, nëse “do të votojnë me dokument të vlefshëm ose jo shtetasi shqiptar?”
Mund të kemi Akt Normativ të qeverisë, por ende nuk kemi një datë zgjedhjesh. A mund të thotë dikush sot? Unë them duhet të jetë me dokument të vlefshëm.
Anëtari i Komisionit Rregullator, Muharrem Çakaj deklaroi se këtë të drejtë e ka qeveria.
Këtë që ju shtruat për diskutim referuar kuadrit ligjor shqiptar e ka në dorë qeveria e Shqipërisë. Në zgjedhjet pararendëse, me vendim qeverie është shtyrë vlefshmëria, nuk e kemi ne në dorë, e ka qeveria. Të themi voton shtetasi shqiptar me banim brenda apo jashtë vendit s’e kemi ne në dorë. Qeveria shtyn vlefshmërinë.
Pas debateve, mbledhja u ndërpre. Më pas u njoftua shtyrja për sot.
Përmes një shkrese zyrtare drejtuar ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkoi përcaktimin me akt të përbashkët të mënyrës si do bashkëpunohet mes KQZ-së dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile për çregjistrimin nga lista e zgjedhësve brenda vendit të shtetasve që jetojnë jashtë territorit shqiptar.
Kërkesa vjen ndërsa KQZ-ja ka nisur punën përgatitore për mundësimin e zgjedhjeve nga jashtë Shqipërisë për parlamentaret e vitit të ardhshëm. Për mendim, komisioni i dërgoi ministrit Hoxha edhe projektudhëzimin e përgatitur. Sipas dokumentit, shtetasit që dëshirojnë të votojnë duhet të regjistrohen në listën e zgjedhësve jashtë vendit në përputhje me Kodin Zgjedhor e aktet nënligjore në fuqi.