Aktualitet

Vorë-Hani i Hotit, BE-ja akordon 136 milion euro grante!

Një marrëveshje që siguron 136 milion euro grante të Bashkimit Europian për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit u nënshkrua sot në Shtëpinë e Evropës në Tiranë nga Ministri i Financave Ervin Mete, Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato dhe Shefja e BERZH-it në Shqipëri, Ekatarina Solovova.

Fondet sigurohen nga BE-ja përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) dhe përfaqësojnë grantin më të madh të BE-së që i është dhënë Shqipërisë deri më sot. Projekti investues, me vlerë 373 milion euro në total është bashkëfinancuar me kredi të dhëna nga Banka Evropiane e Investimeve (EIB) (100 milion Euro) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) (99 milion Euro), që është institucioni kryesor financues në projekt.

Me nënshkrimin e marrëveshjeve të huasë në fillim të vitit, nënshkrimi i grantit të BE-së përmbyll strukturën financiare të projektit dhe shënon fillimin e zbatimit të tij. Investimi do t’u mundësojë Hekurudhave Shqiptare të elektrizojnë më shumë se 120 km binarë e të rinovojnë 12 stacione treni, përfshirë sisteme të reja sinjalizimi, si dhe përmirësime të sigurisë. Kjo do të mundësojë udhëtime më të sigurta e më të shpejta, me shpejtësi funksionimi deri në 100 km/h.

Mete vlerësoi se “ky është granti më i lartë nga BE për Shqipërinë për projekte investimi”.

Plani i ri i Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor nga i cili Shqipëria pritet të përfitojë mbi 900 milion Euro do të krijojë mundësi për financime të tjera në formën e granteve apo kredive të buta. Synimi është progresi i reformave dhe përshpejtimi i investimeve. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet që këtë angazhim të ri të përbashkët, ta realizojmë me sukses brenda afateve ambicioze. Bashkëpunimi i shkëlqyer deri më sot na bën optimistë që kjo mundësi e re të bëhet realitet siç është dhe projekti që po firmosim.

Investimi është pjesë e strategjisë së BE-së për ta shtrirë Rrjetin Trans-Evropian të Transportit të BE-së, TEN-T, në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kjo është lidhja hekurudhore ndërkombëtare e Shqipërisë me rrjetet hekurudhore rajonale e të BE-së. Linja e re do të përmirësojë qasjen në treg dhe do të rrisë ndjeshëm trafikun ndërkombëtar të mallrave e pasagjerëve drejt porteve, terminaleve, kryeqyteteve dhe aeroporteve me hekurudhë.

Ambasadori Silvio Gonzato, Shef i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, tha se “lidhja e njerëzve është në thelb të idesë evropiane”.

Investimi më i madh i BE-së në Shqipëri deri më sot do të rilidhë shqiptarët brenda pjesës tjetër të rajonit dhe Evropës me tren. Linja hekurudhore e rinovuar do të nxisë udhëtimet brenda vendit, turizmin ndërkombëtar, si dhe do të mbështesë zhvillimin e përgjithshëm socio-ekonomik të Shqipërisë.

Ajo do të reduktojë ndikimin mjedisor të transportit të mallrave dhe të pasagjerëve, falë elektrifikimit të linjës së re. Projekti mbështet tranzicionin e gjelbër të Shqipërisë, duke e bërë hekurudhën një mënyrë transporti më efikase dhe më miqësore ndaj klimës.

Si institucioni financiar kryesor ndërkombëtar në projekt, BERZH-i mbështet projekte që nxisin lidhjen rajonale dhe e sjellin Ballkanin Perëndimor më pranë Unionit.

Ekatarina Solovova, Shefe e BERZH-it në Shqipëri, deklaroi:

Ne jemi krenarë që jemi partnerë me Bashkimin Evropian për të përmirësuar rrjetin hekurudhor në Shqipëri. Ky projekt është një dëshmi e angazhimit tonë të përbashkët për të nxitur lidhje më të forta rajonale në Ballkanin Perëndimor dhe për ta sjellë atë më pranë BE-së. Duke investuar në infrastrukturën e gjelbër, ne po i hapim rrugën rritjes ekonomike dhe një të ardhmeje më të qëndrueshme.