Aktualitet

Vorë, digjet një fabrikë këpucësh!

Një fabrikë për prodhimin e këpucëve u përfshi nga flakët mëngjesin e sotëm në fshatin Picar të Vorës. Zona u mbulua nga shtëllunga të mëdha tymi, por përveç dëmeve materiale, fatmirësisht nuk ka të plagosur. Shkaqet ende nuk dihen e pritet të hetohen. Policia nuk dha shumë detaje.

Më datë 31.07.2024, në fshatin Picar, ka rënë zjarr në një fabrikë për prodhimin e këpucëve. Në vendngjarje janë shërbimet e Policisë dhe zjarrfikëset të cilat po punojnë për fikjen e zjarrit.

Dihet që zjarret përbëjnë një problematikë më vete në stinën e verës kur temperaturat janë të larta e siç po tregon termometri, po shënohen vlera rekord. Ditët e fundit u dha alarmi lidhur me situatën në Shëngjin e që më në fund është vënë nën kontroll. Pas luftës së gjatë me flakët, nata kaloi disi më e qetë.

Në zonën e Ranës së Hedhun, ku dje situata u paraqit me kritike, nuk ka problematika të veçanta edhe pse era fryn e fortë herë pas here. Edhe në qendër, pranë Kishës Katolike, aty ku zjarri u aktivizua mbrëmë në orët e vona, flakët u vunë nën kontroll. Ende vijon puna e zjarrfikësve në terren, por me intensitet më të ulët. Zjarret apokaliptike lanë pas pemë të thyera dhe hi me dëme në banesa, hotele e mjedis.

Ministria e Mbrojtjes shprehu falënderime:

Mirënjohje palës italiane për ndihmën, si dhe palës suedeze për shprehjen e gatishmërisë. Sipas raportimeve të fundit është shmangur fatmirësisht rreziku për banesat dhe bizneset.

Eshtë bërë e mundur shuarja e flakëve dhe në vatrën e zjarrit në Kaninë, Bashkia e Vlorës, ku zjarri përfshiu një sipërfaqe me ullinj si dhe në Nikël, ku u raportua një tjetër vatër zjarri.

Mirënjohje të gjithë efektivëve të forcave zjarrfikëse, të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, Shërbimit Pyjor, Zonave të Mbrojtura e vullnetarëve për angazhimin në këtë betejë me flakët.