Rajoni

Von der Leyen thirrje Shkupit të miratojë ndryshimet kushtetuese që kërkon Bullgaria!

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, i bëri thirrje Maqedonisë së Veriut të kalojë ndryshimet kushtetuese për të përmbushur njërin prej detyrimeve vendimtare në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Von der Leyen takoi kryeministrin maqedonas, Hristijan Mickoski në Shkup, në vijim të turit ballkanik që dje nisi me Tiranën.

Pothuajse jemi aty. Shpresoj se me dialog të përbashkët, të gjitha forcat politike në vend do të bashkohen dhe do t’i ndërmarrin hapat e nevojshëm vendimtarë për përparim. Jam e bindur se mund t’i kapërcejmë barrierat të cilat ekzistojnë.

Maqedonia e Veriut ka mbetur pas në procesin e integrimit dhe mori një goditje këtë muaj kur BE-ja e hapi kapitullin e parë në negociatat për anëtarësim me Shqipërinë, duke e shkëputur Shkupin nga paketa e përbashkët me Tiranën. Arsyeja është se Maqedonia e Veriut nuk e ka përmbushur kushtin e vendosur nga Bullgaria, që në preambulën e Kushtetutës së vendit ta përfshijë edhe minoritetin bullgar.

Ky kusht ishte futur në kornizën negociuese që Parlamenti maqedonas votoi në korrik 2022, propozim që njihet edhe si “francez”. Opozita, që atëherë udhëhiqej nga VMRO-DPME/ja ishte kundër ndryshimeve kushtetuese. Në zgjedhjet e majit të këtij viti, VMRO-ja doli e para dhe mori drejtimin e qeverisë. Kryeministri Mickoski e ka bërë të qartë se ai dëshiron ta rinegociojë “propozimin francez”.

Por, gjatë konferencës me shefen e KE-së sot, Mickoski deklaroi se qeveria e tij mbetet e përkushtuar në rrugën drejt BE-së dhe se me ndihmën e bllokut “mund të tejkalohet çdo sfidë”.

Qëllimi ynë është i qartë, ne duam të jemi pjesë e familjes europiane, duke ndarë të njëjtat vlera të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Jemi të vetëdijshëm se para nesh qëndrojnë sfida të rëndësishme si në fushën e drejtësisë, luftës kundër korrupsionit, zhvillimit ekonomik dhe forcimit të institucioneve që mbeten vendimtare për të ardhmen tonë.

Mickoski anashkaloi kërkesën e KE-së për ndryshimet kushtetuese e përfshirjen e minoritetit bullgar në to. Ai tha se qeveria mirëpret ndihmën e Bllokut për të vazhduar procesin e integrimit europian. Von der Leyen vlerësoi përparimin e Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në axhendën e reformave e njoftoi se Shkupi do të përfitojë më shumë se 750 milion euro nga Plani i Rritjes, duke përfshirë këstin e parë prej 52 milion eurosh, deri në fund të vitit.