Bota

Von der Leyen rizgjidhet në krye të Komisionit Europian!

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen është zgjedhur edhe për një mandat tjetër në krye të këtij institucioni. Pro kandidaturës së saj edhe për 5 vite, votuan 401 eurodeputetë ndërsa i duheshin 361 vota nga 720 sa janë gjithsej në Parlamentin Europian. Para votimit, von der Leyen bëri publike prioritetet e saj për mandatin e ardhshëm, duke përfshirë procesin e zgjerimit të bllokut europian.

Kremtimi i 20-vjetorit të zgjerimit më të madh ndonjëherë të BE-së na mundësoi të reflektojmë mbi këtë proces, që u dëshmua si sukses për këto vende dhe për Unionin në tërësi. Historia na thërret përsëri dhe BE-ja ka një zgjedhje për të bërë për të ardhmen e saj. Unë besoj se është një imperativ moral, politik dhe gjeo-strategjik që ta kompletojmë bllokun tonë, në përputhje me premtimet që kemi dhënë në bazë të traktateve.

Von der Leyen shtoi se në një botë ku ekzistojnë fuqitë e mëdha, një BE më e fortë dhe më e zgjeruar, i jep Europës një peshë më të madhe në skenën globale. Zyrtarja përsëriti se procesi i zgjerimit do të mbetet i bazuar në meritat individuale të atyre që duan të bëhen pjesë e Bllokut.

Ky nuk do të jetë një rrugëtim i lehtë. Anëtarësimi në BE do të jetë gjithmonë i bazuar në merita dhe çdo kandidat do të vlerësohet në bazë të progresit në përmbushjen e kritereve. Do t’i rrisim përpjekjet për t’i përgatitur vendet kandidate, në veçanti përmes investimeve dhe reformave me planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor, si dhe mjetet për Ukrainën.

Von der Leyen premtoi se pas rizgjedhjes do ta emërojë një komisioner të përkushtuar për të çuar përpara procesin e zgjerimit.

Shumë kishin dyshime në aftësinë e BE-së për të integruar një numër të madh të vendeve të reja anëtare në vitin 2004, që kishin gjendje të ndryshme ekonomike, strukturore e në numër të banorëve. Por, BE-ja dëshmoi se mund të përballej me këtë, duke u përgatitur nga brenda dhe duke i integruar shumë herët. Europa do të dëshmojë këtë edhe një herë.

Von der Leyen ka paralajmëruar edhe se do të emërojë një komisioner të posaçëm për Mbrojtje e një tjetër për Mesdheun se sipas saj, këto fusha janë sfidë dhe prioritet për Bashkimin Europian.