Aktualitet Politikë

Von der Leyen nesër në Tiranë/ Nga takimi me Ramën në Kryeministri tek konferenca për shtyp, zbardhet agjenda!

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen do të vizitojë Tiranën pasditen e nesërme.

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen pritet të mbërrijë në Kryeministri në orën 15:00 ku do të zhvillojë një takim me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Pas takimit, Kryeministri Edi Rama dhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Rreth orës 17:00, Kryeministri Edi Rama dhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, do të marrin pjesë edhe në ceremoninë e hapjes së Kolegjit të Europës.

Të enjten, Ursula von der Leyen do të shkojë në Maqedoninë e Veriut ku do të takohet me kryeministrin Hristjan Mickoski dhe presidenten Gordana Siljanovska-Davkova.

Më pas, po të enjten do të vizitojë Bosnjën e Hercegovinën, ku fillimisht pritet t’i vizitojë zonat e prekura nga përmbytjet e fundit vdekjeprurëse. Presidentja e KE-së të premten do të ketë takime në Presidencën e Bosnjë e Hercegovinës.

Nga Bosnja, ajo do të shkojë në Serbi, ku do të takohet me presidentin Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin Millosh Vuçeviç.

Ditën e fundit të turneut, presidentja Ursula von der Leyen do qëndrojë për vizitë në Kosovë, kurse më pas do të shkojë në Mal të Zi, ku do të takohet me presidentin Jakov Milatoviç dhe kryeministrin Milojko Spajiç.