Nga Prishtina ku fillimisht takoi presidenten Vjosa Osmani, shefja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se “duhet të punohet edhe më shumë që Bashkimi Europian të heqë masat ndëshkuese që i ka vendosur Kosovës”. Gjatë një konference për media me Osmanin, zyrtarja e lartë u shpreh se “blloku europian ka mirëpritur vendimin e Kosovës për hapjen e pikës kufitare në Merdarë për mallrat nga Serbia”.
Eshtë shumë e rëndësishme të punojmë së bashku dhe ne kemi mirëpritur hapjen e kufirit e përparimin e përfaqësimit të Kosovës në CEFTA. Pas kësaj, ne duhet të punojmë për hapa të mëtejshëm, në mënyrë që të arrijmë në një pikë ku mund të hiqen masat. Edhe kjo do të ndihmojë të binden shtetet anëtare, se siç e dini, të gjitha shtetet anëtare duhet të jenë dakord për çdo hap. Ne të dyja jemi të përkushtuara të gjejmë hapat e nevojshëm për të arritur këto qëllime. Për mua është e rëndësishme që ta shohim Kosovën si partneren tonë dhe ta bëjmë të mundur rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Europian.
Kujtojmë se BE-ja vendosi disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës, vitin e kaluar dhe kjo për shkak të rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se është koha e fundit që të hiqen masat ndëshkuese të BE-së, duke përsëritur qëndrimin e saj se “këto masa nuk janë të drejta”. Po ashtu, Ursula Von der Leyen përgëzoi Kosovën për punën që ka bërë në axhendën e reformave nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian, duke thënë se deri para përfundimit të vitit, Kosova do të përfitojë 60 milion euro nga kjo paketë.
Zyrtarja e lartë që drejton Komisionin Europian shtoi se gjatë mandatit të dytë në krye të KE-së, zgjerimi i Bashkimit Europian do të mbetet prioritet kryesor i saj. Von der Leyen theksoi se dëshiron që në të ardhmen, të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e bllokut europian.
Gjatë vizitës në Kosovë, von der Leyen do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti, siç e përcakton axhenda zyrtare, në vijim të turit ballkanik që e mbyll sot pasdite me Malin e Zi pasi e nisi me Shqipërinë.