“Eshtë 10-vjetori i Procesit të Berlinit, prandaj është mirë të jesh në Berlin me partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor”. Kështu deklaroi sot presidentja e Komisionit Europin, Ursula von der Leyen.
Për të parë pas në rezultatet tona, por mbi të gjitha për të parë përpara. Drejt një të ardhmeje ku të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Bashkimit tonë.
Ursula von der Leyen po merr pjesë në samitin e 10-të të Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor, një nismë e lindur në vitin 2014 me nxitjen e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel për të rifilluar procesin e zgjerimit të BE-së në rajon.
“Bashkimi Europian është i kompletuar vetëm me shtetet e Ballkanit Perëndimor”. Kjo u deklarua sot nga kancelari gjerman, Olaf Scholz duke prezantuar procedurat e samitit të Ballkanit, në kuadër të të ashtuquajturit Procesi i Berlinit.
E ardhmja është në Europë.
Scholz përgëzoi Kosovën për suksesin e saj në CEFTA dhe i bëri thirrje Serbisë e Kosovës që të kapërcejnë dallimet për të ardhmen e tyre europiane. Po ashtu, vlerësoi progresin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në bashkëpunimin rajonal.
Dëshiroj ta përgëzoj Kosovën për kontributin që ka dhënë së fundmi. Diplomacia e marrëveshjes CEFTA është një arritje e madhe për bashkëpunimin rajonal.
Kancelari njoftoi nënshkrimin e dy dokumenteve të rëndësishme që lehtësojnë jetesën e njerëzve në rajon.
Ne do të firmosim dy dokumente që do të lehtësojnë jetën e përditshme të njerëzve. Një plan i ri veprimi për tregun e përbashkët rajonal dhe një marrëveshje për aksesin në mundësimin e studimeve, të cilat do të zgjerojnë lëvizshmërinë e studentëve.
Kancelari Scholz theksoi rolin e Procesit të Berlinit si një platformë për zgjidhjen e konflikteve dypalëshe dhe vlerësoi angazhimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për paqen e bashkëpunimin.
Eshtë një angazhim i qartë për të zgjidhur çështjet dypalëshe dhe për të rënë dakord. Në mënyrë paqësore, kjo është ajo që ka të bëjë me Procesin e Berlinit. Do të vazhdoj të qëndroj personalisht pranë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe t’i mbështes në rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian.