Auto & Moto

Volvo pritet të zhvendosë prodhimin nga Kina në këtë vend…

Volvo Cars ka filluar të lëvizë prodhimin e makinave të saj elektrike nga Kina në Ghent të Belgjikës. Kjo po ndodh në të njëjtën kohë kur BE-ja po heton rregullat e reja të importit të makinave elektrike nga Kina. Tani për tani është prodhimi EX30, por pritet që modelet për tregun e Britanisë së Madhe të zhvendosen në Belgjikë, gjithashtu.

Menaxheri global i PR për Volvo ka deklaruar se është shumë herët për të spekuluar për “pasojat”. Volvo Cars, është në pronësi të Geely dhe vlerësohet të jetë një nga prodhuesit perëndimorë të automjeteve, që do të goditet më rëndë nga rritja e tarifave kineze. Thuajse 3 vjet para hyrjes në fuqi të rregullave Volvo Cars do të prezantojë pasaportën e parë në botë për bateritë e makinave elektrike, që regjistron origjinën e lëndëve të para, të elementeve përbërëse, të përmbajtjes së ricikluar dhe gjurmës së karbonit për modelin e saj SUV, EX90, për të cilin është gati të nisë prodhimin, deklaroi shtëpia automobilistike suedeze për Reuters.

Pasaporta u projektua nga Volvo, që është në pronësi të kompanisë kineze Geely, në bashkëpunim me startup-in britanik Circulor, që përdor teknologjinë blockchain për të realizuar zinxhirët e furnizimit për kompanitë. Për ta realizuar pasaportën u deshën mbi pesë vjet punë. Pasaportat e baterive do të jenë të detyrueshme për makinat elektrike (EV) që shiten në Bashkimin Europian duke nisur nga shkurti i vitit 2027 dhe do të tregojnë përbërjen e baterive, duke përfshirë origjinën e lëndëve të para, gjurmën e karbonit dhe përmbajtjen e ricikluar.

Ndërkaq, kanë kaluar gati dy vjet që kur Volvo zbuloi modelin EX90, i cili më në fund po hyn në prodhim. SUV-i i parë elektrik i përfunduar në të kaltër Denim, ka dalë nga linja e montimit në fabrikën e prodhuesit të automjeteve në Charleston të Karolinës së Jugut, ndërsa kompania do t’i fillojë dërgesat e saj në gjysmën e dytë të vitit 2024. Bëhet e ditur se Volvo duhej të fillonte shpërndarjen e makinës në fillim të vitit 2024.