Auto & Moto

Volvo EX90 do të hyjë në prodhim pas dy vitesh!

Kanë kaluar gati dy vjet që kur Volvo zbuloi modelin EX90, i cili më në fund po hyn në prodhim. SUV-i i parë elektrik i përfunduar në të kaltër Denim, ka dalë nga linja e montimit në fabrikën e prodhuesit të automjeteve në Charleston të Karolinës së Jugut, ndërsa kompania do t’i fillojë dërgesat e saj në gjysmën e dytë të vitit 2024. Bëhet e ditur se Volvo duhej të fillonte shpërndarjen e makinës në fillim të vitit 2024.

Megjithatë, iu desh të vononte prezantimin e saj në mënyrë që të mund të rregullonte disa probleme softuerike. EX90 ka debutuar në nëntor të vitit 2022. Çmimi i versionit fillestar të tij Twin Motor fillon nga 77,990 dollarë. Ndërkaq, Volvo e ka mbushur modelin e saj elektrik me sensorë dhe teknologji duke pretenduar se është makina më e sigurt e markës. Ajo përmban një kamerë të jashtme 360 gradë, pesë sensorë radar dhe një ekran qendror info-argëtues me aplikacione dhe shërbime të ndryshme.

Thuajse 3 vjet para hyrjes në fuqi të rregullave Volvo Cars do të prezantojë pasaportën e parë në botë për bateritë e makinave elektrike, që regjistron origjinën e lëndëve të para, të elementeve përbërëse, të përmbajtjes së ricikluar dhe gjurmës së karbonit për modelin e saj SUV, EX90, për të cilin është gati të nisë prodhimin, deklaroi shtëpia automobilistike suedeze për Reuters.

Pasaporta u projektua nga Volvo, që është në pronësi të kompanisë kineze Geely, në bashkëpunim me startup-in britanik Circulor, që përdor teknologjinë blockchain për të realizuar zinxhirët e furnizimit për kompanitë. Për ta realizuar pasaportën u deshën mbi pesë vjet punë. Pasaportat e baterive do të jenë të detyrueshme për makinat elektrike (EV) që shiten në Bashkimin Europian duke nisur nga shkurti i vitit 2027 dhe do të tregojnë përbërjen e baterive, duke përfshirë origjinën e lëndëve të para, gjurmën e karbonit dhe përmbajtjen e ricikluar.