Auto & Moto

Volvo do të prezantojë pasaportën e parë në botë për bateritë EV!

Thuajse 3 vjet para hyrjes në fuqi të rregullave Volvo Cars do të prezantojë pasaportën e parë në botë për bateritë e makinave elektrike, që regjistron origjinën e lëndëve të para, të elementeve përbërëse, të përmbajtjes së ricikluar dhe gjurmës së karbonit për modelin e saj SUV, EX90, për të cilin është gati të nisë prodhimin, deklaroi shtëpia automobilistike suedeze për Reuters.

Pasaporta u projektua nga Volvo, që është në pronësi të kompanisë kineze Geely, në bashkëpunim me startup-in britanik Circulor, që përdor teknologjinë blockchain për të realizuar zinxhirët e furnizimit për kompanitë. Për ta realizuar pasaportën u deshën mbi pesë vjet punë.

Pasaportat e baterive do të jenë të detyrueshme për makinat elektrike (EV) që shiten në Bashkimin Europian duke nisur nga shkurti i vitit 2027 dhe do të tregojnë përbërjen e baterive, duke përfshirë origjinën e lëndëve të para, gjurmën e karbonit dhe përmbajtjen e ricikluar.

Vanessa Butani, kreu i qëndrueshmërisë globale i Volvo, deklaroi për Reuters se prezantimi i pasaportës thuajse 3 vjet para hyrjes në fuqi të rregullave, synon të jetë transparent ndaj blerësve të makinave, duke qenë se shtëpia automobilistike synon të prodhojë vetëm makina tërësisht elektrike brenda vitit 2030.

Është shumë e rëndësishme për ne të jemi pionier dhe lider.

SUV EX90, me pasaportë për baterinë, do të nisë së shpejti prodhimin në fabrikën e Vovlo në Charleston, në Karolinën e Jugut dhe do t’u dërgohet klientëve në Europë dhe Amerikën e Veriut duke nisur nga gjysma e dytë e vitit.

Pronarët e Volvo mund të përdorin një version të thjeshtuar të pasaportës, duke përdorur një kod QR në pjesën e brendshme të derës së shoferit. Butani tha se pasaporta do të përhapet gradualisht te të gjitha makinat elektrike të Volvo. Një version më i plotë i pasaportës do t’u dërgohet autoriteteve rregullatore.

Ai do të përfshijë edhe informacione të përditësuara të gjendjes së baterive EV – të rëndësishme për të vlerësuar vlerën e makinave elektrike të përdorura – për 15 vjet dhe do të kushtojë rreth 10 dollarë për makinë, deklaroi për Reuters, Douglas Johnson-Poensgen, CEO i Circulor.

Pasaporta kërkoi të bëheshin ndryshime në mënyrën se si Volvo gjurmon përbërësit nëpërmjet procesit të prodhimit, për të kuptuar origjinën e çdo elementi në çdo makinë. Johnson-Poensgen tha se prodhuesit e automjeteve janë duke nxituar për të krijuar pasaporta për bateritë dhe, edhe nëse do të fillonin tani, shumë mund ta kenë të vështirë të respektojnë afatin e BE-së për vitin 2027.