Aktualitet Politikë

Vokshi: Të përjashtohen Braçe, Ndreca, Metaj!

Komisioni hetimor për shërbimet publike të Sterilizimit dhe të Check-up në Shëndetësi ka vijuar sot punimet, ku është parashikuar thirrja e dëshmitarëve, pa prezencën e deputetëve të opozitës. Gjatë punimeve në Komision sot dëshmuan Mimoza Dhëmbi, nga Ministria e Financave dhe Reida Kashta. Në vijim pritet të dëshmojnë: Alma Hiçka, Rovena Beqiraj, Arben Gjata, Eduart Ahmetaj.

Në një konferencë për mediet nga kryesia e Kuvendit, kryetarja e komisionit hetimor, deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, së bashku me deputetin e Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, anëtar në komisionin hetimor, bënë me dije se do të bëjnë kallëzim në SPAK për Plarent Ndrecën, për shpërdorim detyre.

Teksa sqaroi arsyen e mungesës së opozitës në komision, deputetja demokrate tha për mediet se veç Ndrecës, kallëzim penal për shpërdorim detyre do të bëhet edhe për Genci Gjonçajn, sekretar i përgjithshëm i Kuvendit si dhe punonjës të Gardës, pasi kanë penguar funksionimin e komisionit, duke mos lejuar futjen e deputetëve të opozitës në komision.

Do të dorëzojmë kallëzim penal për Plarent Ndrecën, Genci Gjoncaj dhe punonjës të Gardës së Republikës, ku i kërkojmë SPAK ti hetojë për veprën penale “Shpërdorim i Detyrës”, në bashkëpunim. Po ashtu, kërkojmë shqyrtimin e këtij kallëzimi dhe kryerjen e hetimeve në një kohë sa më të shpejtë. Ju sigurojmë se opozita në komision apo jashtë komisionit do t’i kryejë deri në fund detyrat e saj, u shpreh Vokshi.

Duke u ndalur te kërkesa drejtuar Kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali një javë më parë, ku kërkonte përjashtimin e Plarent Ndrecës nga pozicioni i zëvendëskryetarit të komisionit hetimor, Vokshi tha se kryeparlamentarja nuk pranoi asnjë nga kërkesat.

Nuk kishim iluzion që Spiropali do të pranonte ndonjë nga kërkesat. Të gjitha kërkesat tona janë refuzuar”, u shpreh Vokshi.

Sa i takon kërkesës drejtuar Komisionit të Etikës për lejimin e deputetëve të opozitës që të marrin pjesë në komision, Vokshi tha se komisioni nuk është mbledhur.

“I kemi kërkuar kryetares së Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën Klotilda Bushka, që të heqë dënimin, ndëshkimin që ajo u ka bërë deputetëve anëtarë të Komisionit. Komisioni nuk është mbledhur”, tha Vokshi.

Po ashtu Vokshi tha se Komisioni i Etikës nuk është mbledhur as për kërkesën e deputetëve të PD-së për marrjen e masave disiplinore, për Plarent Ndrecën, Erion Braçen dhe Ilir Metajn.

Komisioni do duhej të ishte mbledhur brenda 48 orëve, por në kundërshtim me rregulloren Komisioni i Etikës nuk është mbledhur.

Vokshi nënvizoi se do të kërkojë shtyrje të afatit të Komisionit Hetimor.