Bota

Vokalisti i Guns N’ Roses Axl Rose akuzohet për përdhunim nga modelja e njohur!

Vokalisti i Guns N’ Roses, Axl Rose, është denoncuar për sulm seksual ndaj modeles dhe aktores Sheila Kennedy, ngjarje që mendohet se ka ndodhur në një dhomë hoteli, më shumë se 30 vjet më parë. Në padinë e publikuar nga revista “Rolling Stone”, Kennedy akuzon Rose se e ka sulmuar seksualisht atë natën që u takuan në një klub në Nju Jork.

“Ai e trajtoi atë si pronë, vetëm për kënaqësinë e tij seksuale. Ai nuk përdori prezervativ. Kennedy nuk pranoi dhe u ndje e dominuar. Ajo ndjeu se nuk kishte shpëtim apo rrugëdalje dhe u detyrua të pranonte. Ajo besonte se Rose do ta sulmonte fizikisht atë ose diçka më keq nëse ajo thoshte jo ose përpiqej ta largonte. Ajo e kuptoi se gjëja më e sigurt për të bërë ishte të shtrihej në shtrat dhe të priste që Rose të përfundonte”,-argumenton padia.

Në klubin e natës në Nju Jork, këngëtari Axl Rose ftoi Kennedy-n, prezantuesin e MTV, Riki Rachtman dhe një modele tjetër në një festë në dhomën e tij të hotelit, ku këngëtari dyshohet se u ofronte të ftuarve kokainë dhe alkool. Në fillim, Kennedy dhe Rose u puthën, siç shpjegon padia. Pas kësaj, artisti filloi të kishte marrëdhënie seksuale me modelen tjetër dhe i propozoi Rachtman dhe Kennedy-t të bënin seks në grup, por ata e refuzuan.

Teksa doli në korridor, Kennedy dëgjoi zhurmën e një gote që binte në dysheme dhe këngëtari e quajti “kurvë” modelen me të cilën kishte kryer marrëdhënie seksuale në atë moment. Pikërisht, atëherë ai doli nga dhoma dhe u drejtua i zemëruar në suitën e Rachtman, ku gjeti Kennedyn. I tërbuar, ai e rrëzoi atë, e kapi nga flokët dhe e tërhoqi zvarrë nëpër dysheme përsëri në dhomën e tij, duke e gjakosur në gjunjë.

Aty e vendosi me fytyrën poshtë në krevat, ia lidhi duart pas shpine me çorape dhe e përdhunoi: “Ishte shtrirë, me duar të lidhura pas shpine, e gjakosur”,-argumentohet në padi. Kjo nuk është hera e parë që Axl Rose akuzohet për sulm seksual. Në vitin 1985, ai u akuzua për abuzim me një vajzë 15-vjeçare dhe në vitet 1990, gruaja e tij e atëhershme, Erin Everly, e akuzoi atë se e kishte pështyrë, duke e goditur, lidhur dhe tërhequr zvarrë për flokësh disa herë.