Sport

Vllaznia luan ndaj Tiranës, Ildi Gruda sulmuesi vendimtar në pesë ndeshje…

Vllaznia ka në përbërje sulmuesit që shënojnë më shumë këtë kampionat, duke filluar nga kryegolashënuesi Bekim Balaj me 12 gola, për të vijuar me Ildi Grudën, i cili e ka dërguar 8 herë topin në rrjetë. Mirëpo, në një vëzhgim  për sulmuesit më efektivë të Kategorisë Superiore, pikërisht ata lojtarë që me golat e tyre i kanë dhënë më shumë pikë ekipeve, Gruda rezulton më i miri. Shkodrani i ka dhënë plot 15 pikë Vllaznisë me golat e tij, duke qenë vendimtar në pesë ndeshje ku ka arritur të fitojë skuadra kuqeblu. Pra, sa herë ai ka realizuar, kuqeblutë ia kanë dalë të marrin tri pikë në kampionat. Gruda ka thyer edhe një rekord personal këtë sezon, pasi asnjëherë më parë nuk kishte shkuar në kuotën e 8 golave, teksa ka qenë pjesë e Teutës. Në listën e lojtarëve më efektivë është edhe Lorenco Vila i Dinamos, i cili me 6 golat e tij u ka dhënë 12 pikë bluve.

Ndërkohë, Vllaznia do të presë të shtunën Tiranën në ndeshjen e vlefshme për javën e 26-të në Superiore. Klubi shkodran ka bërë të ditur që përpara sfidës në stadiumin “Loro Boriçi” të bëhet edhe një parakalim me kuaj të racës arabe. Postimi i plotë i klubit:

Për ta bërë edhe më të bukur dhe sa më festiv ambjentin, Bashkia Shkodër dhe KF Vllaznia kanë planifikuar që përpara ndeshjes, në stadiumin “Loro Boriçi” të bëhet edhe një parakalim me kuaj të racës arabe, kjo si pjesë e një projekti të Bashkisë për rikthimin e sportit të hipizmit që ka një traditë të hershme në qytetin tonë.
Por kjo nuk do të jetë surpriza e vetme. Të tjera ju presin ditën e shtunë prandaj duhet të jeni të pranishëm në stadium. Për të mbështetur Vllazninë, por edhe për të shijuar spektaklin.