Qeveria shpall Park Kombëtar, Vjosën, i fundit lumë i egër në Europë. Vendimi i marrë sot u bë publik nga ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro:
Shpallja Park Kombëtar është kategoria e dytë e mbrojtjes që është shumë më e lartë se ajo që kishte një vit më parë si Park Natyror. E kemi shtrirë këtë sipërfaqe mbrojtje në 12.727 hektarë që është gjithë sipërfaqja ujore, bregore e lumit bashkë me sipërfaqen tokësore dhe tre degët e lumit Vjosë, Drino, Bënçë, Shushicë, bëjnë atë që duhet atë që është sot parku i parë i një lumi të egër në Europë.
Shpallja e lumit Vjosa, Park Kombëtar nënkupton se nuk lejohet asnjë ndërtim që cënon lumin, përfshirë këtu hidrocentralet që kanë shkaktuar debat të madh në vendin tonë, por kanë sjellë edhe reagimin e disa organizatave ndërkombëtare.
Ministrja Kumbaro deklaroi se shumë shpejt do të hartohet plani i menaxhimit të kësaj zone që do të saktësojë se ku mund të zhvillohen zona tradicionale eko-turizëm e ku do jetë pjesa mbrojtjes strikte dhe nuk do të lejohet asnjë lloj ndërhyrjeje.
Në janar të këtij viti, lumi Vjosa mori statusin Park Natyror. Nisja e ndërtimit të disa hidrocentraleve në lumin e Vjosës alarmoi shumë ambientalistë vendas e të huaj, të cilët nisën një fushatë për mbrojtjen e këtij lumi.
Më herët, kryeministri Rama tha se “shpallja si Park Kombëtar pasuron brezat që do të trashëgojnë Vjosën në një mënyrë që është një rrugë e re e pashkelur në Europë”. Githashtu, tha se qeveria anuloi planet e ndërtimit për tetë hidrocentrale në Vjosë dhe degët e saj, që do të prodhonin energji elektrike.
Sipas ambientalistëve, digat do të kishin shkaktuar dëme serioze në lumë. I gjatë 270 kilometra, lumi Vjosa rrjedh nga shpatet e mbuluara me pyje të maleve të Pindit të Greqisë deri në bregdetin Adriatik në Shqipëri.
Shkencëtarët thonë se “ekosistemi i Vjosës është habitati për 1 mijë e 100 specie, 13 prej të cilave janë në rrezik të madh të zhdukjes”. Po ashtu, Vjosa ka vlerë ekologjike, kulturore dhe ekonomike për 60 mijë shqiptarët që jetojnë në brigjet e saj.