Aktori i famshëm hollivudian, Leonardo DiCaprio, njëherazi producent dhe i njohur si aktivist në mbështetje të mjedisit, reagoi duke përshëndetur vendimin e qeverisë për shpalljen e Vjosës, Park Kombëtar. Në një mesazh në rrjetet sociale, DiCaprio e quan “historik” dhe shkruan se “tashmë Vjosa do të rrjedhë e lirë përgjithmonë”. Sipas tij, ky vendim “përbën vizionin e ri për ruajtjen globale të ujit”.
Sot është bërë historia. Bashkëpunimi mes qeverisë shqiptare, shoqërisë civile dhe biznesit ka krijuar Parkun e parë Kombëtar të Lumit të Egër në Europë. Lumi Vjosa do të rrjedhë i lirë përgjithmonë, nga burimi në det, për ta shijuar brezat e ardhshëm. Një vizion i ri për ruajtjen globale të ujit është këtu. Urime për të gjithë ata që e bënë realitet këtë përpjekje të mahnitshme!
View this post on Instagram
Në vitin 2019, fushata për mbrojtjen e Vjosës mori një shtysë kur Leonardo DiCaprio në Instagram shprehej:
Ky është një nga lumenjtë e fundit të egër të Europës: por për sa kohë?
Shpallja e lumit Vjosa, Park Kombëtar nënkupton se nuk lejohet asnjë ndërtim që cënon lumin, përfshirë këtu hidrocentralet që kanë shkaktuar debat të madh në vendin tonë, por kanë sjellë edhe reagimin e disa organizatave ndërkombëtare.
Ministrja e Mjedisit, Kumbaro deklaroi se shumë shpejt do të hartohet plani i menaxhimit të kësaj zone që do të saktësojë se ku mund të zhvillohen zona tradicionale eko-turizëm e ku do jetë pjesa mbrojtjes strikte dhe nuk do të lejohet asnjë lloj ndërhyrjeje.
Në janar të këtij viti, lumi Vjosa mori statusin Park Natyror. Nisja e ndërtimit të disa hidrocentraleve në lumin e Vjosës alarmoi shumë ambientalistë vendas e të huaj të cilët nisën një fushatë për mbrojtjen e këtij lumi.
Më herët, kryeministri Rama tha se “shpallja si Park Kombëtar pasuron brezat që do të trashëgojnë Vjosën në një mënyrë që është një rrugë e re e pashkelur në Europë”. Githashtu, tha se qeveria anuloi planet e ndërtimit për tetë hidrocentrale në Vjosë dhe degët e saj, që do të prodhonin energji elektrike.
Sipas ambientalistëve, digat do të kishin shkaktuar dëme serioze në lumë. I gjatë 270 kilometra, lumi Vjosa rrjedh nga shpatet e mbuluara me pyje të maleve të Pindit të Greqisë deri në bregdetin Adriatik në Shqipëri.
Shkencëtarët thonë se “ekosistemi i Vjosës është habitati për 1 mijë e 100 specie, 13 prej të cilave janë në rrezik të madh të zhdukjes”. Po ashtu, Vjosa ka vlerë ekologjike, kulturore dhe ekonomike për 60 mijë shqiptarët që jetojnë në brigjet e saj.