Aktori i famshëm Leonardo DiCaprio, ka qenë një nga personazhet që ka ngritur më së shumti zërin lidhur me çështjet e mbrojtes së mjedisit, madje edhe me mbrojtjen e lumit Vjosa. Vetë Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm më 19 qershor në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe organizatës amerikane “Patagonia” për nisjen e punës së përbashkët për ta shpallur Vjosën “Park Kombëtar”.
Siç tashmë e dimë, ylli i Hollywood-it, Leonardo DiCaprio, ka qenë një nga personazhet e famshëm që ka bërë më së shumti thirrje publike në lidhje me mbrojtjen e këtij lumi dhe së fundmi ka bërë një reagim pas vendimit për ta shpallur atë Park Kombëtar. Ai ka postuar në llogarinë e tij në Instagram një video ku shkruan:
Qeveria e Shqipërisë është një hap më afër parkut të parë kombëtar të lumit të egër në Evropë, pasi së fundmi ka partneritet me Patagonia për të mbrojtur lumin Vjosa, një përpjekje që përfshin fushatën “Save the Blue Heart of Europe”. Lumi Vjosa i Shqipërisë është lumi më i madh i egër në Evropë. Lumi dhe degët e tij rrjedhin të pazbutur nga burimi në det, duke krijuar një ekosistem të biodiversitetit që mbulon mbi 300 km. Vjosa është shtëpia e 1,100 llojeve të kafshëve, duke përfshirë 13 kafshë të kërcënuara globalisht dhe dy lloje bimësh.
Një vit më parë aktori i njohur amerikan, vlerësoi vendimin e qeverisë, për ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve në lumin Vjosë dhe kthimin e saj në një park kombëtar. Ndërkaq, dy vjet më parë, ylli hollivudian iu bashkua nismës për mbrojtjen e lumit Vjosa, kundër ndërtimit të hidrocentraleve.
Në rrugën e tij, mbi 270 kilometra, lumi i Vjosës karakterizohet nga kanione të bukur, rrjedha të rrëmbyeshme, ishuj e kthesa që krijojnë gjarpërime të mrekullueshme. Ndërkombëtarisht, të veçantë e bën fakti se thuajse të gjitha degët e tij rrjedhin të pandërprera e të paprekura, duke krijuar një rrjet lumor të gjallë, si diçka që nuk haset më aktualisht në Europë.