Music

Vjeshta kalohet më bukur me muzikën e përzgjedhur nga DeeJay-t e TAR!

Vjeshta erdhi dhe bashkë me të dhe ulja e temperaturave dhe shirat. Vjeshta në fakt po ndihet shumë dhe në Top Albania Radio. Dhe ku e kuptojmë këtë? Patjetër që tek muzika…

Pas një vere me temperatura shumë të larta dhe këngë mjaft ritmike, erdhi koha që t’i drejtohemi muzikës me tone më të zbutura dhe melankolike. Megjithatë, mos u shqetësoni! Patjetër që na lejohen dhe disa përjashtime të vogla.

Energjia që vjen është e paimagjinueshme kur bëhen bashkë edhe me muzikën e mirë. E kush më mirë se DeeJay-t e Top Albania Radio mund të përzgjedhin këto këngë, të cilat janë të dedikuara 100% për ju?! Me “Autumn Playlist”, secili DeeJay na sugjeron këngët më ritmike që do t’ju shoqërojnë gjatë sezonit të vjeshtës…

Dori Dj – Fall Mix

Ai është një ndër Dj-të më të njohur të jetës së natës si dhe ka miksuar krah Dj-it me famë botërore, Tiesto në “Havana Sun Festival”, bëhet fjalë për Dori Dj. Dori Dj e nisi rrugëtimin e tij në Top Albania Radio që prej vitit 1999 me pasionin që nuk i ka shteruar kurrë edhe sot e kësaj dite. Prej vitit 2013 ai është Drejtori Artistik i radios duke menaxhuar seleksionimin e muzikës, programet muzikore, si edhe post-produksionin. Përzgjedhjen e tij muzikore e dëgjojmë të dielave në dorën 20:00 në “Selected By”.

Jo vetëm kaq, por përzgjedhjen e Dorit mund ta ndjekim çdo ditë në “House Nation”. Mesdita e shndërrron Top Albania Radion në një klub të vërtetë ku e ftuar janë të gjithë që arrijnë radion në valët e saj tokësore, digjitale apo online. Me tendencat më elektronike, të reja të rrymave elektronike si edhe kryeveprat e DEFECTED dhe tracks-et që do të kthehen në kolonën zanore të diskotekave. E tani, Dori Dj na njeh me disa nga hitet më të mira që do të na shoqërojnë këtë sezon.

Dj Saix – Fall Mix

Dj SAIX e keni dëgjuar prej kohësh tashmë në emisionin e tij në Top Albania Radio, “Top Albania Classics” çdo të shtunë me muzikën e tij të përzgjedhur të rrymës house dhe deep house. SAIX është një nga shtyllat e postproduksionit në Top Albania Radio, DJ dhe Producer.

SAIX sjell një buqetë me hitet klasike te House, ato që ju kujtojnë kohët më pak të ndërlikuara dhe që frymëzojnë brezat për krijimtari origjinale në vend të ripaketimit. Që prej vitit 2012, ai ka vazhduar palodhur me punën e tij në përzgjedhje muzikore dhe postproduksion. Në këtë playlist, SAIX na njeh me 20 hite që do të na shoqërojnë këtë sezon vjeshte më së miri.

Dj Vini – Fall Mix

Dj Vini është një nga Dj rezidentë të Top Albania Radio-s, ndër ata që kanë më shumë vite që punojnë në familjen e madhe të kësaj radio dhe ndër ata që punën e bën me shumë pasion. Përzgjedhjen e tij muzikore së bashku me prezantimin dhe informacionet shoqëruese e dëgjoni në radhën e tij në “Selected by” të dielën në orën 20:00-22:00. Dj Vini është dhe autor i një dokumentari realizuar për fillimet e Top Albania Radios, të cilin e gjeni në kanalin e Top Albania Radios në YouTube.

Jo vetëm kaq, Vini është dhe regjisori i “Wake Up” prej disa sezonesh tashmë. E, teksa tashmë kemi hyrë zyrtarisht në stinën e vjeshtës, është koha të dëgjojmë disa nga hitet më të mira të sezonit që do të na shoqërojnë gjatë kësaj periudhe. E kush më mirë se Dj Vini mund të na njihte me përzgjedhjen më të mirë muzikore

Dj XXL – Fall Mix

Erald Konçi apo Dj XXL pas disa vitesh eksperiencë si Dj në disa radio lokale dhe në disa klube nate, në dhjetor të vitit 2001 iu bashkua stafit të TAR. Dj XXL ka shumë vite që është pjesë e botës së muzikës dhe gjithashtu një ndër Dj resident të radios shumë të dashur për të gjithë dëgjuesit, Top Albania Radio.

Pavarësisht se shoqëron me muzikë programet si “Një këngë për ty”, rryma e preferuar e Dj XXL mbetet “house & techno”. Gjithashtu me XXL jeni njohur gjatë të dielave në “Selected By” me muzikën më të mirë të përzgjedhur prej tij. Në këtë playlist, Dj XXL na njeh me disa nga këngët më të mira me të cilat ky sezon do të përjetohet edhe më bukur.

Danko Dj – Fall Mix

Danko Ymeri apo Danko Dj siç e njohim ne, e nisi karrierën e tij në këtë profesion që në vitin 2013 kur ai ishte ende vetëm 15 vjeç. Me plot talent dhe me vendosmërinë që e karakterizon, Danko u bë pjesë e Top Albania Radio para 3 vitesh dhe sot vazhdon të ketë mjaft pasion në punën e tij.

Ju mund të dëgjoni dhe mix-et e tij në “Selected By” e jo vetëm. Krahas punës në Top Albania Radio, Danko është dhe një nga Dj më të kërkuar dhe të preferuar të jetës së natës. Tashmë, meqë jemi zyrtarisht në stinën e vjeshtës, Danko Dj ka përzgjedhur për ne disa nga hitet më të mira sipas tij, që do t’i dëgjojmë e ridëgjojmë pa u lodhur aspak

Dj Wizii – Fall Mix

Eksperiencën e tij në radio e ka nisur në 2016-ën ndërkohë që pjesë e TAR është bërë një vit më vonë. Fokusi i tij kryesor janë rrymat “Dance”, “Pop”, R&B”, “House” dhe “EDM”. Wizii është një ndër Dj më të ri e të talentuar në kryeqytet. Që prej vitit 2015 ai është aktiv duke performuar në klubet më të frekuentuara të Tiranës.

Por ashtu si çdo herë, Dj Wizii sjell një frymë tjetër, një freski ndryshe. Një playlist e veçantë me një larmi rrymash, duke nisur nga Dance, Hip-Hop, R&B e shumë hite të tjera të publikuara së fundmi dhe që janë shumë të suksesshme. Këtu, Dj Wizii na njeh këtë herë me 20 këngët që sipas tij do të na shoqërojnë këtë sezon.

Dj Ankloe – Fall Mix

Kloi Vladi është Dj e vetme vajzë dhe gjithashtu më e reja që Top Albania Radio ka patur ndonjëherë. Ajo ka filluar të bëhet tepër e njohur gjatë jetës së natës në Tiranë, përpos suksesit të saj në radion më të dëgjuar e të dashur kudo. Dashuria e saj për muzikën ka filluar në një moshë fare të vogël, ku tashmë ka tre vite që e praktikon profesionin e saj si DeeJay.

Pasioni i madh që ajo për profesionin e DJ dhe muzikën në tërësi e ka bërë një DJ autodidakte nisur nga miksimet më të vogla në përpunimin e këngëve të ndryshme. Dj Ankloe ka përgjedhur 20 projektet muzikore që sipas saj do të na shoqërojnë këtë sezon vjeshte…

Dj R10 (AI) – Fall Mix

Lindur në Tiranë më 17 nëntor 1991, R10(Al) ka patur gjithmonë një pasion për muzikën. Pavarësisht çdo zhaneri që ai luan, fokusi i tij kanë qënë zhanret elektronike si Trance, Psy-Trance e më vonë u dashurua me zhanret e tjera të stilit ‘Underground’ si Melodic Techno dhe Progressive House. Karriera e tij profesionale ka nisur në vitin 2012 nëpër lokalet më në zë të Tiranës e më vonë pasionin e tij e zhvilloi duke punuar në disa radio të kryeqytetit.

R10(Al) gjithmonë ka synuar të promovojë muzikën elektronike në Shqipëri aq sa në vitin 2016 ai krijoi radion e tij online ku perveç zhanreve që ai pëlqen, përfshihen dhe ato komerciale. Në vitin 2019 ai realizoi 3 festivalet më underground të muzikës elektronike, ku në të tre edicionet pati sukses. Një vit më vonë ai themeloi shtëpinë e tij diskografike të fokusuar vetëm në muzikën elektronike dhe talentet e reja. Që prej fillim vitit 2024, R10(Al) është pjesë e Top Albania Radios. Në këtë playlist, ju mund të njiheni me sugjerimet e tij të muzikore për sezonin e vjeshtës…