Tech

Vjen reagimi i rrjetit social TikTok pasi Montana e ndaloi me ligj!

Nga paralajmërimet në veprime konkrete, Montana bëhet i pari shtet amerikan që zyrtarisht ndalon aplikacionin kinez të videove të shkurtra, TikTok. Guvernatori i Montanas, Greg Gianforte, firmosi dokumentin që kthehet në ligj të detyrueshëm për t’u zbatuar. Ndërkaq, së fundmi 5 përdorues të TikTok në Montana kanë ngritur padi në gjykatën federale për ta bllokuar ndalimin e ri të shtetit ndaj platformës nën pronësinë kineze.

Por, nuk është mbyllur me kaq, Edhe rrjeti social TikTok ka paditur Montanën për të bllokuar një ligj që do të ndalojë shkarkimin dhe përdorimin e aplikacionit në shtetin amerikan duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm. Sipas rrjetit social në pronësi të ByteDance, ndalimi shkel Kushtetutën e SHBA-ve, përfshirë Amendamentin e Parë, si dhe ligje të tjera federale.

Emily Flower, zëdhënëse e Prokurorit të Përgjithshëm të Montana-s, tha:

Ne prisnim sfida ligjore dhe jemi të përgatitur për të mbrojtur ligjin që ndihmon në mbrojtjen e privatësisë dhe sigurisë së Montana-s.

Ligji parashikon një gjobë prej 10 mijë dollarësh në ditë për TikTok ose për kompanitë prodhuese të smartphone-ëve që do ta bëjnë platformën të disponueshme për shkarkim në dyqanet e tyre online. Ndërkaq, një trend i ri në TikTok ka nisur të shqetësojë autoritetet në SHBA dhe Britani, pasi adoleshentët kanë nisur një lojë të re, e cila mund të jetë shumë e rrezikshme. Sfida e re fton të rinjtë të hyjnë në shtëpitë e të panjohurve dhe t’i filmojnë ata për të parë reagimet e tyre. Policia ka nisur një hetim të menjëhershëm në lidhje me këto incidente, teksa disa përdorues të TikTok kanë fshirë menjëherë llogaritë e tyre pas lëvizjes së autoriteteve.