Aktualitet

Vjedhje automjetesh, zbardhen dy raste në Elbasan!

Të dyshuar për vjedhjen e dy makinave në Elbasan, njëri u prangos dhe bashkëpunëtori u shpall në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Retro”. Eshtë fjala për grabitjen e dy mjeteve të tipit “BMW”e “Benz” në lagjet “Brigada 17 Sulmuese” e “Shënkoll”, ngjarje të ndodhura brenda një periudhe të shkurtër, respektivisht më 24 shtator dhe 6 tetor.

“Benz”-i i grabitur para dy ditëve në “Shënkoll”, në pronësinë e një 65 vjeçari u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.  Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi zyrtar i Policisë Elbasan: 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe për vënien përpara përgjegjësisë penale, të autorëve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Retro”.

Si rezultat, u arrestua njëri nga autorët e dyshuar, shtetasi F. B., 26 vjeç, banues në Elbasan.  Ndërkohë vijon puna për kapjen e autorit tjetër, shtetasit L.P., 35 vjeç, banues në Elbasan.

Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se këta shtetas, më datë 06.10.2024, kanë vjedhur në lagjen “Shënkoll”, një automjet tip “Benz”, në pronësi të shtetasit E.D., 65 vjeç.

Gjithashtu, shtetasit F.B. dhe L.P. dyshohen autorë të vjedhjes së ndodhur më datë 24.09.2024, në lagjen “Brigada 17 Sulmuese”, të një automjeti tip “BMW”, në pronësi të shtetasit I.M., 78 vjeç.

Automjeti tip “Benz” i vjedhur, u gjet në lagjen “Shënkoll” dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.